Sipas IKD-së, LVV, PDK, e Nisma kanë kandidatë të dënuar në 3 vitet e fundit për vepër penale.
1079 është numri i kandidatëve të cilët kanë aplikuar që të bëhen deputetë në legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës.
Por, duket se jo të gjithë do të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kjo si pasojë e dispozitivit të dytë të aktgjykimit të Kushtetueses, i cili ua pamundëson kandidimin atyre që janë të dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit.
Për këtë arsye, të hënën KQZ ka dërguar listat e subjekteve politike tek Këshilli Gjyqësor i Kosovës për verifikimin e këtyre kandidatëve.
KGJK ka afat deri të mërkurën që t’i dërgojë emrat e atyre që janë të dënuar në këtë Komision.
Megjithëkëtë, nga Këshilli Gjyqësor kanë bërë të ditur se do të jetë KQZ ajo e cila do ta jep fjalën përfundimtare për cerfitikim.
Sot, me datën 18, kemi pranuar listat e kandidatëve nga KQZ dhe kemi filluar me procesin e verifikimit. KGjK vetëm mund të ofroj informacione se personi i caktuar ka apo nuk ka të regjistruar ndonjë dënim me aktgjykim të formës së prerë. Ndërsa, KQZ vendos për certifikimin.
Por dikush tjetër veçse e ka bërë një hulumtim të tillë.
Sipas Yll Zekajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, shumica e partive politike kanë kandidatë të dënuar për vepër penale në 3 vitet e fundit.
Ndonëse në listat e Lidhjes Demokratike të Kosovës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka kandidatë me aktakuzë aktive, kjo nuk përbën pengesë për ta që të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.