Lajme
Qeveria humbi mijëra euro në bileta të udhëtimit, rekomandohet ndryshimi i akteve nënligjore
Demokracia
20:21 | 22 Mars 2022

Share:

Shtetit të Kosovës i kanë kushtuar shumë më shtrenjtë shërbimet e fluturimeve për zyrtarët e institucioneve sesa që ishin parashikuar në kontratat e nënshkruara.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për kontratat e centralizuara për shërbimet e transportit ajror për vitet 2016-2019, tre faktorët kryesorë kanë ndikuar në rritjen e vlerës së shpenzimeve për shërbime të transportit ajror: udhëtimet në biznes klasë, shtyrjet e udhëtimeve dhe anulimet e udhëtimeve, raporton Demokracia.com.

“Mesatarja e çmimit për biletë bazuar në shpenzimet që ishin realizuar deri në janar 2020 me kontratën Agjencisë Qendrore të Prokurimit 18-008 (kur ishin shpenzuar afër 3.7 milionë euro) ishte 456 euro ose 14% më e lartë se çmimi i parashikuar, ndërsa për kontratën paraprake çmimi mesatar për biletë ishte 503 euro, pra Organizatat Buxhetore mesatarisht kanë paguar 103 euro më shumë për çdo biletë të blerë, ose 26% më shtrenjtë se që kanë parashikuar të paguajnë”, thuhet në raportin e auditorit.

“Çmimi mesatar i parashikuar i biletës për të dy kontratat e centralizuara për shërbime të transportit ajror ishte 400 euro për biletë. Prandaj kontrata e parë kishte arritur tavanin prej 130% nëntë muaj para datës së paraparë të skadimit të kontratës, ndërsa e kontrata e dytë brenda vetëm 12 muajve kishte tejkaluar pragun prej 70% duke arritur në 73%”, sqaron raporti.

Sipas të gjeturave, kjo nënkupton se nuk kishte planifikim të duhur sa i përket çmimit mesatar për biletë.

“Shpenzimet për udhëtime në klasat më të larta se klasa ekonomike përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve për shërbime të transportit ajror nga OB-të. Shpenzimet mesatare për udhëtime në klasa më të larta se klasa ekonomike për të dyja kontratat ishin afër 29% të shpenzimeve të audituara”, vlerëson ky dokument, raporton Demokracia.com.

Të gjeturat flasin se udhëtimet janë bërë kryesisht me klasën e lartë, që Udhëzimi Administrativ nuk e lejon.

“Kjo do thotë se afër 1/3 e mjeteve janë shpenzuar në bileta të klasave më të larta se klasa e lejuar me udhëzim administrativ. Sipas analizës sonë të biletave të MPJ-së ka rezultuar se 36% e shpenzimeve të përgjithshme janë bërë për bileta të klasave më të larta se klasa ekonomike, ndërsa kanë pasur mundësi të kursejnë prej 47%-65%-të tyre nëse do të kishin udhëtuar në klasën ekonomike”.

Raporti vë theksin tek Zyra e Kryeministrit të Kosovës që ka paguar 10 bileta të udhëtimit jashtë vendit në vlerë 8 mijë e 190 euro, të cilat nuk janë shfrytëzuar kurrë nga stafi i qeverisë.

Nga 90 bileta që janë audituar nga zyra e kryeministrit, 10 nga to kishte ndryshim të datës së udhëtimit, që kishin krijuar kosto shtesë prej 1 mijë e 228 euro, ose 128 euro për diferencën e biletës.

Mirëpo, edhe më skandaloze e bën fakti se të gjitha këto bileta që ishin kontraktuar nga Zyra e Kryeministrit ishin anuluar, ndërsa nga 8 mijë e 576 euro që kishte paguar shteti, vetëm 377 euro kishte arritur t’i merrte mbrapsht.

Ndërsa, Zyra Kombëtare e Auditorit, ka rekomanduar për Qeverinë që ta rishikojë Udhëzimin Administrativ Nr. 2004/07 për të adresuar çështjen e klasave të lejuara të udhëtimit në transport ajror, duke specifikuar qartë rastet dhe funksionet që bëjnë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm.

ZKA gjithashtu ka rekomanduar për Agjencinë Qendrore të Prokurimit që t’i parashikojë saktë çmimet e tarifave të biletave.

Për shfrytëzuesit e këtyre biletave, ZKA kërkon që të përdorin klasën ekonomike për t’i shmangur shpenzimet e larta të transportit ajror, me përjashtim të rasteve kur UA i rishikuar do të lejonte shfrytëzimin e klasave tjera dhe të planifikojnë udhëtimet më mirë në mënyrë që të shmangin nevojën për anulime dhe shtyrje të udhëtimeve. /Demokracia.com/

Të ngjashme