Lajme
Kurti e harron policinë, nuk e mban premtimin për sigurime shëndetësore
Demokracia
14:21 | 23 Mars 2022

Share:

Edhe pak muaj, Policia e Kosovës pritet të shënojë 23 vjetorin e themelimit të saj.

E problemet brenda këtij institucioni, i cili është i thirrur të mbajë rend e siguri janë të shumta e të vjetra, shkruan Demokracia.com.

Policisë së Kosovës çdo qeverisje u kishte premtuar sigurim shëndetësor e jetësor.

Në mars të vitit të kaluar, kryeministri aktual Albin Kurti prezantoi në Kuvendin e Kosovës programin qeverisës gjatë mandatit të tij.

Pjesë e programit dhe premtimeve të Kurtit ishin edhe sigurimet shëndetësore e jetësore për zyrtarët policorë, sigurime këto që kanë munguar që nga themelimi i policisë.

“Njëjtë sikurse Policia e Kosovës që na japin neve siguri, edhe ne duhet t’u japim zyrtarëve policorë sigurimin jetësor e shëndetësor, si një e drejtë e garantuar për punën e tyre të rëndësishme, por edhe nën rrezik”, kishte thënë Kurti në fjalimin e tij më 22 mars të vitit të kaluar.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti kishte thënë se forcimi i integritetit dhe profesionalizmit në Policinë e Kosovës do të jetë ndër objektivat tona kryesore, duke shtuar se nivelet e larta drejtuese të policisë do t’i nënshtrohen procesit të vetingut, i cili do të zbatohet në të gjitha institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në vend.

Një kërkesë e tillë vazhdimisht ka hasur në vesh të shurdhër, pasi edhe sot 22 vjet që nga themelimi, zyrtarët policorë nuk gëzojnë asnjë lloj të sigurimit për punën që kryejnë.

Qeveria e Kosovës vitin e kaluar ka ndarë buxhet të “majmë” për disa kategori brenda Policisë së Kosovës, si buxhet për blerjen e armëve dhe pajisjeve speciale për Njësitë Speciale, armë për policinë kufitare, buxhet për ndërtimin e objekteve të reja policore, autoblinda, topa uji, limuzina të blinduara e automjete të tjera speciale, por ka ndarë edhe para për pajisje të teknologjisë informative, për logjistikë e të tjera. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme