Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është liruar nga mbajtja.
Kreu i shtëpisë së futbollit kosovar u arrestua mbrëmë pas akuzave për sulm fizik ndaj njërit prej punëtorëve të administratës në FFK, Artan Govorit.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Prokuroria të cilët kanë bërë të ditur se Ademi është liruar në procedurë të rregullt.
“I njëjti pasi është intervistuar nga ana e prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt. Rasti vazhdon të trajtohet”, ka konfirmuar Prokuroria për Telegrafin.
Govori gjatë mesditës të së mërkurës e kishte paraqitur rastin në polici, duke aloduar se ishte sulmuar fizikisht nga kreu i FFK-së, Agim Ademi.
Arrestimin e Ademit e kishe konfirmuar Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.
“Prishtinë, 16.03.2022 – 13:30. Është raportuar se ka ndodhur një sulm fizik ku i dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Nuk raportohet për të lënduar. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti është duke u hetuar”, thuhej në raportin e PK-së.