Sport
Faktorët që i kushtuan Kosovës me eliminim dhe pritjet e mëdha për të ardhmen
Demokracia
16:16 | 08 Mars 2021

Share:

Me humbjen nga Sllovakia (73:77) në Prishtinë muajin e kaluar, Kosova i ka dhënë fund ciklit paraeliminator evropian për Kampionatin Botëror të vitit 2023.

“Dardanët” e drejtuar nga trajneri grek, Christos Marmarinos ishin në grup me Islandën, Luksemburgun dhe Sllovakinë, shkruan Demokracia.com.

Megjithatë, Kosova e mbylli grupin me dy fitore dhe katër humbje duke humbur një rast ideal për t’u kualifikuar tutje.

Derisa gjasat ishin reale, djelmoshat e Marmarinos zhgënjyen me rezultate.

Demokracia.com ka kontaktuar me sekretaren e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushkun, trajnerin kosovar Arbnor Rifati dhe basketbollistin Drilon Hajrizi në lidhje me ecurinë e Kosovës në basketboll.

Të tre janë me bindje të plotë se Kosovën në basketboll e pret një “e ardhme e ndritur”.

“Nuk ishim në nivelin e pritur nga ne, po analizojmë aty ku kemi gabuar”

Elvira Dushku nga FBK-ja e ka analizuar ecurinë e “Dardanëve” në paraeliminatoret evropiane për Kupën e Botës 2023.

Ajo ka thënë se edhe pandemia ka lënë pasoja.

“Pas dy fitoreve të shënuara në fillim ndaj Islandës dhe Luksemburgut, kemi pasur shumë besim se do të vazhdojmë me të njejtin ritëm edhe në ndeshjet e nëntorit 2020 e më pas të shkurtit 2021. Por, askush nuk e ka paramenduar shfaqjen e pandemisë. Në nëntor kemi pasur shumë mungesa si Dardan Berisha, Gëzim Morina dhe Lis Shoshi dhe kjo na ka dëmtuar shumë”, ka thënë fillimisht Elvira Dushku duke vazhduar:

“Kemi pësuar humbje në Bratislavë dhe pas kësaj jemi mobilzuar duke kërkuar fitore në ndeshjet e shkurtit, për të cilën kemi aplikuar të jemi organizatorë. Por, ndaj Luksemburgut nuk luajtëm në nivelin që pritet nga ne dhe kjo na kushtoi. Ndaj Sllokvakisë djemtë e bën më të mirën, por sërish nuk arritëm fitore”.

Dushku shpreson që skuadra të mos i përsëritë në të ardhmen gabimet e së kaluarës.

“Sidoqoftë, ne tash jemi duke e bërë evalvimin e gjithë asaj që është bërë në kuadër të këtyre paraeliminatoreve dhe më pas do ta kemi më të qartë situatën se ku kemi gabuar dhe ku duhet të përmirësohemi në të ardhmen”, theksoi ajo.

Për fund, Dushku u shpreh e kënaqur me organizimin e “FIFA Bubble” në Prishtinë.

“Kësaj radhe ka qenë dukshëm më vështirë për faktin se është dashur që 100 përqind t’i përmbahemi protokollit të FIBA-së për COVID-19 dhe natyrisht se në vendin tonë masat anti-COVID nuk është se respektohen ashtu siç duhet dhe kjo për ne ka qenë telashja e vetme. Jemi të kënaqur se si e kemi kaluar sfidën në aspektin organizativ”, përfundoi të hënën për Demokracia.com Elvira Dushku.

Rifati: Paraqitjet e Kosovës, as të kënaqshme por as dëshpëruese

Trajneri i mirënjohur kosovar që drejton Prizrenin, Arbnor Rifati nuk është shprehur i zhgënjyer me paraqitjet e “Dardanëve”.

Për eliminimin, ai thotë se kanë ndikuar dy faktorë.

“Paraqitjet e Kosovës nuk ishin aq të kënaqshme, por as dëshpëruese. Sigurisht se pandemia ndikoi në dy aspekte – luajtëm si vendas pa tifozë dhe pushimi 11 muajsh pa ndeshjet e Kosovës. Pra, duke i llogaritur këto, mendoj që nuk jemi prezantuar keq, por duhet të punojmë më shumë për të ardhmen”, deklaroi Rifati për Demokracia.com.

Apeli i Drilon Hajrizit

Basketbollisti i Kosovës që luan te Trepça, Drilon Hajrizi ka komentuar paraqitjet e “Dardanëve” në këtë cikël paraeliminator.

Ai është shprehur i zhgënjyer me rezultatet e skuadrës.

“Rezultatet kanë qenë zhgënjyese për të gjithë ne. Kemi pasur një rast të mirë që të marrim rezultat pozitiv, por nuk ia dolëm. Mendoj se një mentalitet i bashkuar duhet instaluar. Na mungon një mentalitet që ka vazhdimësi të rezultateve pozitive. Skuadra që kemi pasur ka qenë cilësore dhe mendoj se ka mundur të dalë më mirë”, tha basketbollisti kosovar për Demokracia.com, duke shtuar:

“Gabimet që io kemi bërë nuk na lejuan. Ne duhet të jemi të suksesshëm me skuadrat tona dhe mv pas me Kosovën. Sa më e fortë liga, ashtu edhe reprezentacioni. Kemi lojtarë të lënduar dhe për momentin nuk e di kur janë garat e ardhshme. Duhet të jemi të bashkuar për t’ia dalur mbanë me rezultate pozitive”. /Demokracia.com

Të ngjashme