Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku është duke u diskutuar për ngritjen e çmimeve e ka pranuar se energjia elektrike është eksportuar jashtë vendit.
“Ajo çfarë po përgjigjem tash, e më vonë do të flasë për çështjen e çmimeve është se eksportimi i energjisë që u tha për muajt janar dhe shkurt, janë tre faktorë, njëri prej të cilëve është keqkuptim dhe po ia filloj prej këtij. Faktori i parë është transiti i energjisë. Transiti i energjisë nuk është eksport. Kur Serbia i shet energji Shqipërisë ose anasjelltas; kur Maqedonia e Veriut i shet energji Malit të Zi ose anasjelltas, ajo kalon nëpër Kosovë, hyn e del, por ajo që del nuk është eksport. Prandaj duhet të kemi kujdes që të mos e keqkuptojmë”, tha Kurti, raporton Demokracia.com.
Ai ka treguar se Ujmani ka kontratë afatgjate të eksporti të energjisë elektrike.
“Faktori i dytë është që Ujmani ka kontrata afatgjata të eksportit të energjisë, ne i kemi gjetur ato kontrata, ato janë kontrata afat gjata që i ka bërë Ujmani. Ne i kemi gjetur këto kontrata, me 38 euro e shet 1 megavat orë. Por Ujmani eksporton energjisë e ka obligim kontraktual shitjen kaq të lirë në një krizë energjetike”, ka thënë ai.
Shefi i ekzekutivit e ka përmendur edhe faktorin e tretë që sipas tij është edhe “teprica e energjisë elektrike”.
“Teprica e energjisë sidomos në orët 3,4,5 të pasmesnatës. Vetëm dje në mëngjes si ka qenë. Në ora 03:00 prodhimin e kemi pasur 903 megavat, ndërsa konsumin 864, në ora 04:00 dje në mëngjes prodhimin e kemi pasur 907 megavat konsumin 822 pra më pak, në ora 05:00 të mëngjesit prodhimin 905 megavat konsumin 809, kurse në ora 06:00 prodhimin e kemi pasur 905 e konsumin 844, çka me i bëmë kësaj energjie. Me ja dhanë KOSTT-it po çka i vyen KOSTT-it, kur piku në ora 23:00 ngelet i pa mbuluar në orët pas mesnatë dhe në orët pas mëngjesit ne kemi tepricë dhe tepricën natyrisht që e eksportojmë, nuk ki çka ti bësh”, tha Kurti. /Demokracia.com/