Janë mbyllur dy prej tri ndeshjeve të sotme në Superligën e Kosovës në futboll.
Malisheva e ka mposhtur Drenicën si mysafire 2:3 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, raporton Demokracia.com.
Trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi pas ndeshjes u shpreh i kënaqur me fitoren, teksa vlerësoi edhe kundërshtarët.
Mirëpo, pavarësisht fitores, Thaqi u ankua në ndarjen e drejtësisë.
“I përgëzoj lojtarët për angazhimin, pasi luajtëm në një fushë të rënduar. Jo vetëm Malisheva, por edhe Drenica është angazhuar shumë. Pikët kanë qenë të rëndësishme dhe i arritëm t’i fitojmë. Shpresojmë të kemi rezultate pozitive edhe në ndeshjet e radhës. Motivi i lojtarëve është shumë i madh. Por dua të theksoj se shumë herë gjyqtarët anojnë kah vendësi. Agon Xhaka u ndëshkua me karton të kuq dhe mendoj se ky vendim i gjyqtarit duhet të rishqyrtohet. Tani kemi VAR-in, por edhe me VAR disa ndeshje nuk janë menaxhuar mirë. Shpresojmë që të adaptohen dhe ta marrin veten. Korrektësia në këto rrethana është virtyt dhe Drenica ka qenë gjithnjë mikpritëse. Por edhe gjyqtarët duhet të jenë korrekt”, ka thënë Thaqi pas ndeshjes ndaj Drenicës për Art Sport.
Malisheva dhe Drenica e ndajnë vendin e pestë së bashku me Prishtinën me nga 32 pikë. /Demokracia.com/