Sport
Ramadani: Mentaliteti është ajo që ka ndryshuar Prishtinën, rivalë për titull kemi Dritën dhe Ballkanin
Demokracia
10:54 | 08 Mars 2021

Share:

Prishtina është skuadra më në formë në stinorin pranveror në kuadër të elitës së futbollit kosovar, shkruan Demokracia.com.

Skuadra kryeqytetase e ka nisur mbarë pranverën në futbollin kosovar, duke u kualifikuar në çerekfinalen e Kupës së Kosovës si dhe duke qëndruar në hap me dy rivalët për titull, Dritën dhe Ballkanin.

Gjegjësisht, kryeqytetasit renditen në vendin e tretë në tabelën e Superligës me 47 pikë, tri më pak se lideri Drita, dhe dy më pak se vendi i dytë të cilin e mban Ballkani.

Gjithashtu Prishtina në krye me trajnerin Zekirija Ramadani po shfaq lojë të bukur, duke marrë vëmendjen e tifozëve kosovarë të futbollit.

Interesant është fakti se trajneri shkupjan madje ishte pranë largimit muaj më parë, por nga ai moment, skuadrën e ka kthyer në “binarë”.

Në një bisedë me Demokracia.com, Ramadani e ka vlerësuar lart formën e skuadrës së tij.

“Ajo që e ka ndryshuar Prishtinën është mentaliteti”

Ramadani që ka fituar titullin e kampionit sa ishte trajner i Feronikelit, ka deklaruar se skuadra e tij nuk varet nga një “individ”.

“Formën e mirë e kemi filluar në fazën e dytë të këtij kampionati, pastaj vazhdimësia është në stinorin pranveror, ku kemi bërë përgatitje të mira dhe rezultate pozitive në të dyja garat ku jemi në luftë për t’i fituar”, ka deklaruar Ramadani, duke vazhduar:

“Ajo që e ka ndryshu Prishtinën është mentaliteti, skuadra nuk varet nga një individ, dhe kolektiviteti sjell rezultate pozitive”.

Vështirësitë për t’iu përshtatur filozofisë

Ramadani te Prishtina solli identitet dhe filozofi të re, për të cilën ai thotë se futbollistët hasën në vështirësi në fillim.

“Ishte e vështirë që futbollistët të ambientohen në filozofinë time, por pas asaj të gjithë janë në vendin e duhur”, thotë ai, duke folur edhe për rivalët për titull:

“Dy skuadra i shohim si rivalë për titull – Drita dhe Ballkani, janë rivalë të fortë. Jemi afër me pikë. Por, rivalë e kemi edhe Gjilanin pasi e lejon matematika”.

Për fund, trajneri shqiptar ka zbuluar të rejat e fundit në skuadër para ndeshjes me Besën e Pejës në “Fadil Vokrri”.

“Kemi dy futbollistë të suspenduar, Lorik Boshnjaku dhe Leotrim Bekteshi. Gledi Mici ka pasur një lëndim së fundmi, shpresojmë të jetë mirë sot në stërvitje. Besa është një skuadër që duhet ta marrim me seriozitet, nëse dështojmë atëherë do ta kemi të vështirë”, përfundoi të hënën për Demokracia.com Zekirija Ramadani. /Demokracia.com

 

Të ngjashme