Liderë të Ballkanit Perëndimor do të qëndrojnë në Antalia të Turqisë deri më 13 mars, në kuadër të Forumit të Diplomacisë.
Kosova në këtë event po përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryediplomatja Donika Gërvalla, përcjell Demokracia.com.
Tre përfaqësuesit kosovarë po marrin pjesë në panele të ndryshme diskutimi, derisa kanë zhvilluar takime edhe me disa liderë të vendeve të tjera.
Kurti u pa sot në një takim shumë të ngrohtë me mandatarin për krijimin e qeverisë së re në Mal të Zi, Dritan Abazoviq. Pak minuta pas Kurtit, edhe Osmani ka zhvilluar një takim me Abazoviq.
Në forumin e njëjtë, i pranishëm është edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përcjell Demokracia.com.
Ky i fundit, ka marrë pjesë në një panel diskutimi me presidenten Osmani, por ata nuk janë parë të afërt. Liderët kosovarë dhe ai shqiptar nuk kanë zhvilluar ndonjë takim publik, ndërsa nuk dihet nëse do të ndodhë kjo deri nesër kur edhe përfundon forumi.
Edi Rama ka zhvilluar edhe një takim të ndarë me nikoqirin e këtij forumi, presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.
Presidentja Osmani e ka takuar liderin turk vetëm në një prej sallave të eventit, ndërkaq Kurti nuk është parë me Erdoganin, pasi shkoi në forum një ditë me vonesë./Demokracia.com/