Lajme
Haradinaj i reagon Kurtit pas vizitës në ‘Parkun e Erës’: Meritat e tua janë zero
Demokracia
15:45 | 11 Mars 2022

Share:

Kryetari i Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti në Parkut të Erës në Mitrovicë duke thënë se meritat e tij në këtë projekt janë zero.

“Kryetari i Qeverisë sot paska marrë pjesë në inaugurimin e Parkut të Erës në Mitrovicë, një investim i jashtëzakonshëm i Kosovës me vendet mike, që është një lajm fantastik, sado që meritat e kësaj qeverie për këtë projekt janë zero”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj po ashtu, ka thënë se sikur qeveria e Albin Kurtit mos ta kishte kundërshtuar projektin e termocentralit të ri me Countur Global si dhe projektin e gazsjellësit amerikan Shkup-Prishtinë sot Kosova nuk do t’i vuante pasojat e mungesës së energjisë elektrike dhe çmimet stratosferike.

“Sikur ky kryeministër e kjo qeveri të mos e kishin kundërshtuar projektin e termocentralit të ri me Countur Global, apo projektin e gazsjellësit amerikan Shkup-Prishtinë, sot do të mund t’u gëzoheshim edhe dy sukseseve të jashtëzakonshme në fushën e energjisë, e nuk do t’i vuanim pasojat e mungesës së energjisë e çmimeve stratosferike”, tha ai.

Tutje ai ka thënë se Qeveria aktuale duhet të marrë shembull nga Parku i Erës në Mitrovicë se si duhet të kryhen punët të cilat janë në interes të vendit e pse jo t’i thoshte edhe disa fjalë të mira për Qeverinë Haradinaj e cila për vizion kishte zgjidhjen e situatës elektro-energjike në Kosovë.

“Qeveria duhet të marrë shembull nga Parku i Erës në Mitrovicë, se si nisen e kryhen punët e interesit strategjik për vendin, e pse jo t’i thoshte disa fjalë të mira edhe për Qeverinë Haradinaj, që kishte vizion të qartë se si zgjidhej situata elektro-energjetike në vend”, ka shkruar Haradinaj.

Krejt në fund ai ka thënë se projektet në fushën e energjisë janë të ndalura nga Kryeministri Kurti.

“Sidoqoftë ky është sukses i Kosovës, e cila ka nevojë urgjente që t’i shtyjë edhe projektet tjera në fushën e energjisë, që sot janë ndalur nga Kryeministri Kurti”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme