Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të pandehurin i cili dyshohet se ka kryer veprën penale sulm seksual.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer veprën penale sulmi seksual ndaj të dëmtuarës – të mitur, përcjell Demokracia.com.
“Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.M. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulmi seksual nga neni 229 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer veprën penale sulmi seksual ndaj të dëmtuarës – të mitur”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.
Sipas Gjykatës me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./Demokracia.com/