Zëri prej strehe vjen i dobët. “Kam kollë dhe pak grip, por jam gjallë e madje edhe me fat sepse këtu poshtë kam ende dritë, ujë dhe lidhje interneti. Shumë prej miqve të mi në Kharkiv nuk kanë më asgjë prej këtyre”.
Vera Lytovchenko është violinistja që luan nën bomba. Luan për të tjerët, por edhe për veten. Luan për të dëshmuar se në nëntokë, në bodrumet e shtëpisë ku është rritur e që tani qëndron krejtësisht e zbrazur, në shtëpinë e familjes së saj, ende rreh jeta.
Videot e saj nga bodrumi janë shpërndarë nga shumë njerëz. Muzikë me vdekjen, si antidot ndaj shkatërrimit. Tani në Ukrainë është gjashtë e mbrëmjes, do të nisë nata e pësëmbëdhjetë e luftës dhe e pritjes. Nga një mur i ashpër betoni, përgjatë së cilit kalon një tub blu, dëgjohet zëri i violinistes.
“Përshëndetje, emri im është Vera Lytovchenko, jam një muzikante nga Kharkivi i Ukrainës. Ju flas nga streha ku kam jetuar në katërmbëdhjetë ditët e fundit, që prej nisjes së luftës. Duhet të jetoj këtu përgjithmonë sepse ata po bombardojnë qytetin tim dhe është e rrezikshme të qëndrosh jashtë”.
Po vijnë lajme të tmerrshme nga Kievi: ushqimi duket se po fillon të mbarojë. Edhe ju gjendeni në të njëjtën situatë?
Sinqerisht nuk e njoh gjendjen në të gjithë vendin, sepse pjesën më të madhe të kohës qëndroj e strehuar këtu. Por jemi me fat për arsye se kemi ushqim dhe lidhje telefonike. Di që shumë në lagjen tonë nuk i kanë. Nuk kanë as ujë, asgjë.
Ç’do të thotë për ju të luani në violinë poshtë bombardimeve?
Do të thotë të harrosh luftën, edhe pse vetëm për pak minuta. U frymëzova nga studentët e mi të cilët ishin të parët që bënë një gjë të tillë. Vërtetë guximtarë. Prej tyre kuptova se duhej ta bëja edhe unë. Luaj çdo ditë nga një pjesë për fqinjët që po rrinë si unë. Vendosa t’i publikoj ato video për t’i treguar miqve të mi se jam gjallë. Se jemi gjallë!
Çfarë luani konkretisht?
Pjesë muzike klasike. Këngë ukrainase, këngë ruse, këngë europiane dhe amerikane. Këngë të ndryshme çdo ditë, sepse muzika është ndërkombëtare.
Me ç’gjendje shpirtërore po rezistoni?
Nuk mund të flas për gjithë ukrainasit, por mund të flas për veten. Kam pasur shumë frikë, sidomos në fillim. U frikësova për jetën time dhe për jetën e tim eti. Por tani jo më. Po qëndrojmë në bodrum dhe presim. Sigurisht që jam e nervozuar dhe e shqetësuar për miqtë e mi që janë jashtë. Por jam e vendosur për të qëndruar këtu, në qytetin tim të lindjes.
Çfarë mund të bëjë më shumë Evropa për Ukrainën?
Nuk jam politikane. Jam muzikante dhe u mësoj nxënësve muzikë në shkollën e Kharkivit. Nuk flas as për trupa dhe as për luftë, nuk di ta bëj.
Cili është pushteti i muzikës kundër luftës?
Shpresoj të më ndihmojë për të organizuar një mbledhje fondesh me qëllim rindërtimin e shkollave të shkatërruara prej bombardimeve, të shtëpive, për të ndihmuar muzikantët e tjerë dhe mësuesit e tjerë të Kharkivit dhe Ukrainës. Për t’iu kthyer jetës pas luftës. Për të blerë instrumente muzikore pas shkatërrimit. Për të blerë ushqim dhe ilaçe. Do ta bëj për to. Për kolegët dhe për miqtë e mi.
Çfarë mendoni për thirrjen që Zelensky bëri për të marrë armët?
Nuk flas për presidentin tim. Dëshira ime e vetme është që kjo luftë të marrë fund.
Pse nuk u arratisët drejt Evropës?
Sepse vendosa të mos braktis qytetin dhe miqtë e mi. Vendosa të qëndroj në Kharkiv për të ndihmuar njerëzit që s’mund të arratisën.
A ka diçka që ne evropianët mund të bëjmë për ju ukrainasit?
Nuk di se çfarë mund të bëjë Evropa për ne. Por di se nuk e dua Luftën e Tretë Botërore.
Çfarë shihni nga bodrumi juaj?
Fatkeqësisht asgjë, duke pritur fitoren dhe jetën normale.