Sport
Në Ditën e Mësuesit, trajnerët kosovarë që janë edhe mësimdhënës rrëfejnë përjetimet e tyre
Demokracia
19:10 | 07 Mars 2021

Share:

7 marsi është datë e madhe për arsimin në të gjitha trojet shqiptare. Sot, 134 vjet më parë, u hap shkolla e parë shqipe në qytetin e Korçës.

Shkolla e parë shqipe fillore kombëtare, ku mësimet mbaheshin në gjuhën shqipe, u themelua në kushtet e pushtimit osman, në Korçë më 7 mars të vitit 1887, shkruan Demokracia.com.

Edhe në Kosovë është shënuar kjo ditë me aktivitete të ndryshme, por si i ka gjetur kjo festë trajnerët e futbollit që në të njëjtën kohë e mbajnë edhe detyrën e mësimdhënësit.

Përderisa puna e trajnerit dhe mësimdhënësit ka shumë të përbashkëta, ka shumë prej tyre që ushtrojnë të dyja këto punë në të njëjtën kohë.

Disa prej tyre janë Bylbyl Sokoli, Bekim Isufi dhe Bekim Shotani.

Demokracia.com ka kontaktuar me të tre trajnerët, të cilat janë rrëfyer për punën e tyre në të dyja lëmitë, sfidat dhe dallimet.

Sokoli: Dallimet nuk janë të mëdha, të dyja kanë detyrën e pedagogut

Trajneri i Gjilanit, Bylbyl Sokoli e ushtron detyrën e profesorit në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Edukimit Fizik që disa vite.

Në të shumtën e kohës ashtu si edhe tani, njëkohësisht ai ka qenë edhe trajner i futbollit në klube të ndryshme kosovare.

Sokoli në një prononcim për Demokracia.com thotë se të dyja profesionet kanë lidhshmëritë e tyre.

“Të dyja profesionet kanë lidhshmëritë e tyre, kanë detyrën e pedagogut. Primare është edukimi. Trajneri ka detyrë që të transformojë idetë për futbollistët prej një gjendje në gjendjen tjetër. Derisa detyrë e jona është të ngrisim cilësinë në futboll”, ka thënë Sokoli i njohur ndryshe si “Profa”, duke vazhduar:

“Ndërkaq, në procesin edukativ, detyrat janë mësimdhënia dhe kontributi në këtë aspekt nuk mungon. Është parësor edukimi i të rinjve”.

Tutje, ai thotë se nuk ka dallime të mëdha në këto dy punë.

“Nuk ka dallime të mëdha, njëra dhe tjetra janë procese të mësimdhënies”, deklaroi Bylbyl Sokoli.

“Puna e trajnerit është më e rëndë, ka përgjegjësi më të mëdha”

Një tjetër trajner i futbollit që është edhe mësimdhënës është Bekim Shotani.

Shotani ka 25 vite që punon si profesor i edukatës fizike në shkollën “Migjeni”në Vushtrri.

Ai ka treguar në një bisedë me Demokracia.com për sfidat e tij si trajner dhe si mësimdhënës.

“Dallimet janë si trajner ke të bësh me çështje profesionale. Ka të bëjë me metodikë, psikologji dhe gjëra fizike të futbollit. Kanë disa të përbashkëta. Si mësimdhënës është parësor edukimi i një brezi sportiv, kurse si trajner ke objektiva. Puna e trajnerit është më e rëndë sepse përgjegjësitë janë më të mëdha”, deklaroi Shotani, i cili është i pajisur me licenca ndërkombëtare për trajner.

Si trajner, ai ka drejtuar skuadrat si Ballkani, Trepça, Vushtrria, Drenica dhe Llapi.

Isufi: Më lehtë të jesh mësues se trajner

Trajneri i mirënjohur kosovar, Bekim Isufi është trajneri tjetër që ushtron postin e trajnerit dhe që është njëkohësisht mësimdhënës.

Aktualisht, ai është profesor i edukatës fizike në një shkollë të mesme në Ferizaj, derisa për Demokracia.com thotë se të dyja punët kanë të “njëjtën natyrë”, por që puna si mësues sipas tij është më e lehtë.

“Është e njëjta natyrë, sikur kur të japësh mësim futbollistëve si nxënësve, por që objektivat janë më ndryshe. Si trajner i ke metodat e punës. Sfidat janë të ndryshme. Si mësues është më lehtë, kurse më vështirë si trajner”, deklaroi të dielën Bekim Isufi. /Demokracia.com

Të ngjashme