Numrimi së prapthi tashmë ka nisur. Më pak se 24 orë na ndajnë nga derbi më i madh i futbollit të Kosovës midis dy rivalëve të përbetuar lokal, Dritës dhe Gjilanit. Diskutimet, ngacmimet, “ethet” e qytetarëve të Komunës së Gjilanit veçse kanë nisur në lidhje me derbin numër 39-të të Anamoravës.
Autor: Amir Rama
Përveq triumfit në derbi, nuk pranohet asnjë opsion tjetër nga tifozët e dy skuadrave pavarësisht gjithçkaje. Këtë më së miri e dëshmojnë trajnerët, futbollistët dhe personat e tjerë që kanë marrë pjesë në fushën e lojës në këtë derbi lokal.
Dy nga ata që ishin pjesë e derbit mes Dritës dhe Gjilanit për disa vite ishin trajneri i mirënjohur kosovar, Bekim Isufi dhe ish-mbrojtësi dhe tani trajneri, Erdin Hashani.
Këta të fundit në një prononcim të Demokracia.com rrëfyen momentet më të mira që kanë përjetuar në këtë duel.
Isufi: Momenti më i veçantë është triumfi në finalen e Kupës së Kosovës
Bekim Isufi, trajneri që i solli titullin e dytë në histori Dritës (2018) pas një pritje 15-vjeçare, vlerësoi derbin gjilanas duke thënë se në këtë sfidë nuk ka kalkulime, ngase secila nga skuadrat hyn për të triumfuar.
“Derbi mes Dritës dhe Gjilanit është ndeshje që nuk ka kalkulime. Secila skuadër hyn për të fituar derbin, sidomos në këtë edicion ku janë të dy ekipet duke garuar për titull të kampionit dhe kjo e bën edhe më të veçantë”, deklaroi trajneri Bekim Isufi të mërkurën për Demokracia.com.
Isufi që ishte pjesë e “bardhekaltërve” edhe si futbollist gjatë edicioneve të largëta, tregoi momentin më të veçantë për të.
“Kujtesa ka shumë në lidhje me derbin dhe gjithmonë e them se është fitim i Kupës së Kosovë në finale kundër Gjilanit (2000/01, 1:1 – 6:5 pen). Ajo është më e veçanta për shkak se kemi fituar në finale me penallti”, rrëfeu tekniku gjilanas Isufi.
Hashani: Derbi mes Dritës dhe Gjilanit është më shumë se një finale
Hashani që ishte “idhull” i tifozerisë së Dritës në të kaluarën tha se derbi midis Dritës dhe Gjilanit është më shumë se një finale.
Ai rrëfeu edhe disa nga momentet që përjetoi ai sa ishte pjesë e derbit si lojtar, ndërsa theksoi se fitorja në derbi është ndjenja më e mirë për një futbollist.
“Çdo ndeshje derbi mes Dritës dhe Gjilanit gjithmonë i ka ato specifikat e veta. Asnjë ndeshje nuk është e njejtë kur është fjala për derbi, sepse çdo derbi është si një finale në vete. Kjo ndeshje është vështirë me u shpjegu. Kjo ndeshje vetëm përjetohet. Sepse atmosfera e derbit fillon një javë përpara. Kjo ndjehet ndryshe nga ndeshjet e tjera, sepse që kur shkon në stadium, sheh që stadiumi ka filluar që të mbushet dhe dëshirën për fitore të atyre tifozëve e vërenë në sy dhe në përkrahje. Është një ndeshje që duhet të japësh gjithçka nga vetja për ata tifozë që vijnë të përkrahin, sepse e vetmja mundësi me ua shpërbly atë është me jep maksimumin e sidomos me fitore është ndjenja më e mirë që mundesh me perjetu në futboll. Ky derbi vlen ma shumë se sa një finale. Presioni i derbit është shumë i madh dhe unë mendoj që ky derbi vlen për tifozët sa 10 ndeshje në kampionat. Kom pas nderin që e kom bartë fanellën e Dritës në derbi”, u shpreh ish-mbrojtësi i mirënjohur dhe trajneri, Erdin Hashani për Demokracia.com.
Ballafaqimi Drita – Gjilani luhet të enjten (nesër) me fillim nga ora 13:00 në stadiumin e qytetit në Gjilan dhe i takon javës së 24-të në elitën e futbollit kosovar./Demokracia.com/