Trajneri i Feronikelit, Klodian Duro ka reaguar ashpër pas humbjes së sotme nga Drita duke pretenduar se skuadra e tij është dëmtuar nga gjyqtarët e ndeshjes.
Në kuadër të javës së 23-të në Superligën e Kosovës, Drita mundi Feronikelin në Drenas me rezultat minimal, 0:1, shkruan Demokracia.com.
Pas ndeshjes, trajneri shqiptar tha se Drita kishte udhëtuar me “taktikë të veçantë”.
“Është ditë e diel, mot me diell dhe të gjithë e pamë atë se çfarë ndodhi. Rregullat janë të qarta, kur futbollisti ka dorën e hapur dhe prek topin me dorë është penalti. Gjyqtari na tha që ua fala një rast një minutën e 40-të dhe jemi barazim. Këtu nuk ka barazim të rasteve, sepse po të shënonim loja do të ishte më ndryshe”, ka thënë Duro për “Art Sport”, duke vazhduar:
“Drita kishte udhëtuar me taktikë të veçantë. Çdo ndërprerje futbollistët e kësaj skuadre shtriheshin dhe gjyqtari akordonte penalti. Kjo nuk është aspak në rregull sepse mbi të gjitha nuk i kontribuon lojës së futbollit dhe lojës së fair-playt të cilën e promovojmë”.
Tutje, Duro përgëzoi futbollistët e tij për paraqitjen.
“Feronikeli luan futboll të bukur dhe këtë e shohin të gjithë. Ne krijojmë raste dhe luajmë për të fituar. Normalisht që nuk do të isha i kënaqur as me barazimin. Unë dëshiroj t’i përgëzoj çunat për ndeshjen e treguar sot”, deklaroi Klodian Duro. /Demokracia.com