Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka votuar pro përjashtimit të Rusisë dhe Bjellorusisë nga Asociacioni i Zyrtarëve Zgjedhorë Evropian (ACEEEO), si pasojë e pushtimit të Ukrainës, derisa ka njoftuar që nëse këto dy shtete nuk përjashtohen Kosova do të tërhiqet.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës beson fuqishëm se asociacionet e tilla, sikurse është ACEEEO, nuk mund të mbajnë në radhët e veta institucione që përfaqësojnë shtete që janë kundër vlerave demokratike, prandaj nëse këto dy institucione nuk përjashtohen nga ACEEEO, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës do të tërhiqet nga ky asociacion”, thuhet në njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sot, ACEEEO ekziston për të promovuar procese dhe procedura të shëndosha demokratike mes anëtarëve të saj dhe të tjerëve të përfshirë në procesin zgjedhor.
ACEEEO përbëhet nga anëtarët instituiconalë, të cilët janë institucione që merren me menaxhimin e zgjedhjeve dhe referendumeve.
Aktualisht, ACEEEO ka 25 anëtarë institucionalë, pra 25 shtete të ndryshme, ku bënë pjesë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, i cili është anëtarësuar me të drejta të plota në shtator të vitit 2016.
Përveç KQZ-së së Kosovës, anëtarët aktual institucionalë të ACEEEO-s janë Trupat e Menaxhimit të Zgjedhjeve nga këto shtete: Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bosna dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Gjeorgjia, Hungaria, Kazakistani, Kirgistani, Letonia, Lituania, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Federata Ruse, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Turqia, Ukraina.