Skuadra nga Çeçenia, Akhmat Grozny, të hënën ka zhvilluar ndeshjen e xhiros së 20-të të kampionatit të Rusisë në futboll. Akhmati në ndeshjen e luajtur në Grozny, kryeqendrën e Republikës së Çeçenisë, pësoi 2:1 nga Rubin Kazani.
Para ndeshjes, presidenti i Akhmatit, Magomed Daudov ka bërë një fotografi ku ka shfaqur shkronjat e famshme të aksionit rus në Ukrainë, Z e V.
Ka shumë ide për kuptimin e këtyre shkronjave, sidomos për shkronjën Z të shfaqur në mjetet ushtarake të Rusisë gjatë sulmit mbi Ukrainën.
Qëndrimi zyrtar i Rusisë është që shkronja Z nënkupton “Za pobedu” (për fitore), ndërsa V për “fuqia e të vërtetës”. Por ka edhe plot interpretime të tjerë për këto dy shkronja.
“Presidenti i klubit të futbollit, Akhmat, Magomed Daudov, ka përcjellë ndeshjen e xhiros së 20-të me Rubinin. Para fillimisht të ndeshjes ai mbështeti personelin ushtarak rus që po kryen një operacion special në Ukrainë me një veprim special”, shkruan në njoftimin e Akhmat Groznyt.
Futbollisti kosovar, Bernard Berisha është prej lojtarëve kryesorë të Akhmat Groznyt, që kontrollohet nga lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov. Berisha të hënën startoi te Grozny, ndërsa u zëvendësua në minutën e 77-të.
Çeçenë besnikë të liderit Kadyrov janë bërë pjesë e luftës në Ukrainë. Natyrisht në anën e Rusisë. Ka pasur raportime për shumë të vdekur në mesin e tyre. Dikur Çeçenia ka zhvilluar luftë të ashpër për ndarje nga Rusia.