Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se nëse ndodh anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, do të befasojnë me përgjigjen dhe efikasitetin.
Sipas tij, me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, “disa shtete do të tërheqin njohjen e vendit”, shkruan B92.
“Mesazhi im, pa hyrë në të gjitha detajet, dhe ne jemi duke analizuar gjithçka në plotni, është se nëse ata fillojnë me këtë, do të befasohen nga përgjigja e fortë dhe efikase e Serbisë. Nëse Kosova i bashkohet organizatave ndërkombëtare, do të thotë prishje e marrëveshjes së Uashingtonit. Në atë rast do ta marrin vesh për disa vende që kanë tërhequr njohjen”, shpjegoi Vuçiq.
Sipas tij, shumë po e shohin krizën në Ukrainë si një mundësi për zgjidhje të çështjes së Kosovës dhe duan pranimin e përshpejtuar të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Këto komente kreu i shtetit serb i bëri gjatë një ngjarje në Leskovc kur u pyet se çfarë ndodhi me notën e protestës ndaj Turqisë.
Ai tha se Serbia ka hequr dorë nga dërgimi i një note proteste ndaj Turqisë për qëndrimin e kësaj të fundit rreth hyrjes së Kosovës në NATO.
“Kam pasur një takim me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. Ai sqaroi se çfarë tha, çfarë u përcoll dhe ne morëm vendimin që të mos e dërgojmë notën e protestës”, shtoi ai.