Edhe pse mes Ukrainës dhe Rusisë u arrit një marrëveshje për armëpushim në mënyrë që të evakuoheshin civilët, nuk kanë munguar viktimat nga predhat e pushtuesit.
Dominik Stillhart, drejtor i operacioneve për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq duke folur për BBC Radio 4 të hënën në mëngjes tha se marrëveshjet deri më tani kanë ekzistuar vetëm në parim.
I pyetur se çfarë nuk shkon me të ashtuquajturit korridore humanitare, ai tha se me dy palët u bisedua për “për ditë të tëra”, por problemet mbetën.
Stillhart tha se sfida ishte arritja e një marrëveshjeje që të ishte “konkrete, e zbatueshme dhe e saktë”.
Por, marrëveshjet janë arritur vetëm “në parim”, pasi janë prishur menjëherë për shkak të mungesës së saktësisë, sa i përket rrugëve dhe kush mund t’i përdorte ato.
Duke ilustruar pikëpamjen e tij, ai tha se anëtarë të stafit nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ishin përpjekur të dilnin nga Mariupol përgjatë një rruge të rënë dakord të dielën, por shumë shpejt e kuptuan “rruga që po ndiqnin ishte në të vërtetë e minuar”.