Skuadrës së Milanit i ka mjaftuar një gol për ta fituar ndeshjen derbi të xhiros së 28-të në Serie A. Milani e mposhti Napolin në stadiumin “Diego Armando Maradona” me rezultatin 1:0, të dielën mbrëma. Golin e vetëm në këtë takim, e ka shënuar sulmuesi francez Olivier Giroud.
Giroud ka realizuar me të filluar pjesa e dytë. Ai shënoi nga afërsia pas asistimit të Davide Calabrias. Me këtë fitore, Milani është ngritur në kuotën e 60 pikëve dhe është lider në tabelë para Interit që ka 58 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
Te Napoli, gjatë tërë ndeshjes është aktivizuar qendërmbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani që është ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 37-të për shkak të ndërhyrjes ndaj Theo Hernandezit.