Disa serbë janë mbledhur pasditen e së dielës para statujës së konsullit rus, Grigory Stepanovich në Mitrovicën e Veriut, ku kanë shprehur haptas përkrahjen e tyre ndaj Rusisë duke i thënë se “nuk është e vetme”.
Mediat serbe kanë publikuar pamje gjatë tubimit të këtyre qytetarëve, të cilët mbanin në duar pankarta në përkrahje të Rusisë, derisa ukrainasve u bënin thirrje të bashkohen me rusët, përcjell Demokracia.com.
“Sot këtu jemi që të dërgojmë një mesazh në përkrahje të popullit rus dhe vëllezërve tanë rus, ju nuk jeni vetëm, ne jemi me ju dhe gjithmonë do të qëndrojmë pranë jush”, ka thënë Nebojsa Joviq, njëri prej organizatorëve.
Përkrahësit e Rusisë që u mblodhën në Kosovë, patën një mesazh edhe për ukrainasit, përcjell Demokracia.com.
“Mesazhi i dytë është për vëllezërit tanë ukrainas. Edhe ata i kemi vëllezër. Ju lutem bashkohuni me vëllezërit rus, largohuni nga këta “ukrainista”, sepse në momentin që ju bashkoheni me ata, vjen paqja”, kanë thënë grupi i mbledhur i serbëve.
Qytetarët që protestuan kanë shkuar edhe më tutje, duke thënë se mediat po raportojnë kundër Rusisë dhe popullin e saj po tentojnë ta paraqesin sa më keq, përcjell Demokracia.com.
“Kjo është në radhë të parë ajo që po bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Kështu që këtë herë po i dërgoj një mesazh një Evrope të dëshmuar të paqytetëruar që të mos bëhet së bashku me aleatin e saj amerikan, të mos merret me të, sepse mund të krijojë vetëm tokë pjellore për të krijuar gjak të keq, për të vënë Rusinë kundër murit, dhe pastaj kam frikë se do të ketë probleme shumë më të mëdha në të cilat nuk do të ketë një apo dy shtete, por i gjithë planeti. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë, prandaj sot apeli ynë është mbi të gjitha – apeli i arsyes, që sa më shpejt të ndalet sulmi histerik ndaj gjithçkaje ruse”, shtoi Joviq.
Protestuesit serbë kanë përmendur edhe Kosovën, duke thënë se SHBA-ja lufton për paprekshmërinë e kufijve të saj.
“Atëherë ne pyesim veten se çfarë nuk shkon me Serbinë?” Pse nuk respektohen kufijtë tanë? Pse territori ynë është i pushtuar?”, tha organizatori i protestës.
Vlen të përmendet se kjo është protesta e dytë që serbët organizojnë në përkrahje të Rusisë, kundër së cilës po reagon e gjithë bota, pas vendimit për të pushtuar Ukrainën.
Ditë më parë në mes të Beogradit u mbajt një marsh ku organizator kryesor ishte Damjan Knezheviq, miku i djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq./Demokracia.com/
FOTO| Zbulohet mashtrimi serb, Vuçiq qëndron prapa protestës proruse në Beograd