Lajme
Dita e 11-të e luftës: Gjithçka që po ndodhë sot në Ukrainë
Demokracia
12:41 | 06 Mars 2022

Share:

Ukraina sot është zgjuar në ditën e 11-të të luftës me Rusinë, e cila ka shënuar një numër të lartë të viktimave, dëme në një pjesë të madhe të vendit dhe shumë refugjatë të cilët janë larguar nga vendi.

Gjatë natës së kaluar janë dëgjuar shpërthime në pjesë të ndryshme të Kharkiv, qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, raportojnë mediat ukrainase, përcjell Demokracia.com.

Pjesa jugore e qytetit të Mariupolit është e rrethuar nga forcat ruse dhe fatkeqësisht, autoritetet ukrainase nuk kanë pasur mundësi t’i largojnë as trupat e të vdekurve, për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga Rusia.

Banorët e një qyteti të vogël, Volnovakha, i cili është shkatërruar në pjesën më të madhe, kanë tentuar të largohen nga vendi pas bombardimeve, përcjell Demokracia.com.

Tentimi që të hapet një korridor humanitar për qytetarët ukrainas ka dështuar gjatë ditës së djeshme, përmes së cilit më shumë se 200 mijë banorë parashihej që të largoheshin nga Mariupol dhe Volnovakha.

Në ditën e 11-të të luftës, ushtria ukrainase ka bërë të ditur se deri më tani ka shkatërruar 88 avionë dhe helikopterë rusë, si dhe ka kapur disa prej pilotëve. Po ashtu, Ukraina thotë se ka vrarë rreth 11 mijë ushtarë rusë.

Të dielën, numri i refugjatëve ukrainas pritet që të arrijë në 1.5 milionë, që po konsiderohet si më i larti në Europë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, përcjell Demokracia.com.

Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se numri i refugjatëve mund të shkojë në 4 milionë deri në muajin qershor.

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se është duke punuar me Poloninë që t’ia mundësojë dhënien e avionëve luftarakë, pasi presidenti Zelensky i kërkoi ndihmë SHBA-së dhe BE-së për këtë çështje.

Visa dhe Mastercard janë dy kompanitë e fundit që kanë pezulluar punën në Rusi, veprim ky që vjen po ashtu pas kërkesës së presidentit Zelensky./Demokracia.com/

Të ngjashme