Lajme
​“Ky është shansi për të jetuar”, Zelensky u drejtohet ukrainasve: Dilni luftoni
Demokracia
23:12 | 05 Mars 2022

Share:

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky u është drejtuar sonte qytetarëve ukrainas me një video-mesazh përmes të cilit ai kërkoi mobilizim të përgjithshëm në luftën kundër forcave pushtuese ruse.

Zelensky tha se çdo metër e fituar e tokës ukrainase përballë forcave ruse, do të jetë një hap drejt fitores për të gjithë Ukrainën.

“Çdo metër e tokës tonë ukrainase e fituar është një hap përpara, një hap drejt fitores për të gjithë shtetin tonë. Ky është një shans për të jetuar. Ukrainas! Në të gjitha qytetet tona ku hyn armiku. Shkoni në ofensivë!” tha Zelensky.

Ai u bëri thirrje ukrainasve që të dalin jashtë dhe të luftojnë çdo herë kur ka një mundësi, pasi njerëzit e bëjnë këtë në Kherson, Berdyansk, Melitopol dhe Konotop.

“Duhet të dilni dhe ta dëboni këtë të keqe nga qytetet tona. Për të parandaluar krijimin e ‘DPR’ dhe ‘LPR’ të reja ku jeta normale është thjesht e pamundur. Vetëm skllavëri. Vetëm në gjunjë”, tha kreu i shtetit.

Presidenti Zelensky theksoi se populli ukrainas është tani në kulmin e shpirtit të tij, në maksimumin e mundësive: çdo ushtar në linjat e mbrojtjes, çdo mjek që shpëton jetë, çdo zjarrfikës që shuan zjarrin, çdo sipërmarrës që vazhdon të punojë.

“Dhjetëra e dhjetëra profesione të tjera. Miliona njerëz, të cilët u bënë një e tërë. Superfuqia e shpirtit. Programuesit që u bashkuan me trupat e informacionit. Të gjithë ata që iu bashkuan mbrojtjes territoriale. Mësues dhe edukatorë që nuk lënë fëmijë. Oficerët e policisë. Nëpunësit civilë. Të gjithë së bashku e përballuam goditjen. Të gjithë së bashku do ta rindërtojmë shtetin tonë. Kur nuk ke armë dhe si përgjigje merr të shtëna. Dhe ju nuk vraponi. Kur nuk ke forca të blinduara dhe një transportues i blinduar po vjen drejt teje. Dhe ju nuk lëvizni mënjanë. Prandaj pushtimi është i përkohshëm! Është artificial. Populli ynë, ukrainasit tanë nuk tërhiqen. Mos u dorëzoni. Mos e ndalni rezistencën”, tha Zelensky.

Më 24 shkurt, presidenti rus Vladimir Putin nisi një pushtim në shkallë të gjerë në Ukrainë. Trupat ruse po bombardojnë dhe shkatërrojnë infrastrukturën, duke kryer granatime masive të zonave të banuara të Ukrainës duke përdorur artileri, sisteme raketash të shumta lëshuese dhe raketa balistike.

Në vend u vendos gjendja ushtarake dhe u shpall mobilizimi i përgjithshëm. Ukraina ngriti një padi kundër Federatës Ruse në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së në Hagë.

Të ngjashme