Franca do të nisë fluturime stërvitore me avion të shpejtë mbi territorin e Ballkanit Perëndimor, kryesisht në Bosnje e Hercegovinë.
Kjo është bërë e ditur nga Eurofor dhe siç raporton Reuters, një veprim i tillë vjen në mes të përkeqësimit të situatës së sigurisë ndërkombëtare, përcjell Demokracia.com.
“Aeroplanmbajtësja Charles de Gaulle aktualisht po kryen trajnime operacionale në Detin Mesdhe dhe, nga e hëna e 7 marsit, avioni i saj Rafale do të kryejë fluturime në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Bosnje-Hercegovinën,” ka thënë EUFOR.
Ky vendim është marrë rreth një javë pasi Bashkimi Europian njoftoi se do të shtojë numrin e trupave në Eufor nga 600 në 1 mijë e 100, për të parandaluar paqëndrueshmërinë pas pushtimit rus të Ukrainës, përcjell Demokracia.com.
Bosnja po përballet me një lëvizje separatiste serbe të Bosnjës gjithnjë e më të madhe, e cila kuptohet se ka marrë mbështetje nga Moska.
Demokracia.com dje raportoi se ministrja e Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq ka thënë se shteti është nën frikë që lufta në Ukrainë mund të jetë një pjesë e një prirjeje më të madhe të agresionit rus në Ballkan.
“Sigurisht, lufta në Ukrainë po shkakton frikë dhe shqetësim në rajonin tonë se ky mund të jetë tani fillimi i një tendence më të madhe në Evropën Lindore. Ballkani është thembra e Akilit për Evropën”, tha Turkoviq.
Dodik kohë më parë kishte deklaruar publikisht se “nëse dikush tenton ta ndalojë, ai ka miq të mirë që e mbrojnë”, duke iu referuar kështu Rusisë./Demokracia.com/