Lajme
DOKUMENTE| ASK përgenjështron Kurtin, Qeveria Kurti II rriti shpenzimet e saj, të hyrat ranë dukshëm
Demokracia
11:53 | 05 Mars 2022

Share:

Rreth 76 milionë euro ka pasur më pak të hyra Qeveria Kurti II në tremujorin e katërt të vitit 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

ASK përmes statistikave të publikuara ka konfirmuar se gjatë tremujorit të katërt në vitin 2021, të hyrat e Qeverisë Kurti II ishin 627 milionë euro, derisa në të njëjtën periudhë të vitit 2020, kur kryeministër ishte Avdullah Hoti, të hyrat ishin 703.2 milionë euro, raporton Demokracia.com.

“Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 69.8% të totalit të të hyrave, ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave”, bën të ditur ASK.

Po ashtu, në raportin e Agjencisë së Statistikave shihet dukshëm se Qeveria Kurti II ka rritur edhe shpenzimet.

Shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme në TM4 2021 ishin 822.6 milionë euro, që është një rritje e shpenzimeve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM4 2020), që ishin 817.1 milionë euro, raporton Demokracia.com.

KËTU mund ta lexoni raportin e plotë me dokumente të ASK-së për të hyrat dhe shpenzimet e Qeverisë Kurti.

Ky raport përgenjështron deklaratat e kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave të tij të cilët përgjatë atyre muajve deklaronin se ka rritje të të hyrave dhe kursime të parasë publike krahasuar me qeveritë e kaluara.

Kurti madje kishte pretenduar se edhe remitancat, të cilat nga ekonomistët vlerësohet se u rritën me transaksione bankare për shkak të kufizimeve të qarkullimit si pasojë e pandemisë, ishin shtuar pas ardhjes në pushtet të qeverisë së tij./Demokracia.com/

Të ngjashme