Legjioni i Huaj i Francës (trup i veçant i ushtrisë franceze) ka dhënë autorizim të posaçëm për ushtarët ukrainas që të udhëtojnë në zonën e konfliktit për të ofruar ndihmë për familjet e tyre, raporton BBC.
Në ditët e fundit janë lëshuar 74 leje, duke lejuar legjionarët ukrainas të largohen nga baza deri në dy javë.
Ata mund të shkojnë vetëm në vendet fqinje me Ukrainën për t’u takuar me të afërmit që ikin nga Ukraina. Ata nuk kanë leje të kalojnë në Ukrainë dhe sigurisht nuk janë të autorizuar të luftojnë.
Përveç kësaj, zëdhënësi i Legjionit të Huaj, Jean-Philippe Bourban, tha se rreth 20 legjionarë ukrainas janë zhdukur pa leje nga bazat e tyre në Francë që nga fillimi i konfliktit.
Nuk dihet nëse ata kanë dezertuar për të luftuar brenda Ukrainës, apo nëse do të kërkojnë autorizim.
E themeluar në 1831, Legjioni i të Huajve prej 9000 trupash aktualisht ka 710 ukrainas, si dhe 450 rusë. Zëdhënësi tha se nuk kishte tension mes dy grupeve.