Sport
Zgjedhjet e nxehta në FFK, çfarë ndikimi mund të ketë në rrjedhën e kampionat, flet Tovërlani
Demokracia
13:35 | 04 Mars 2022

Share:

Dy ditë më parë Federata e Futbollit e Kosovës ka shpallur zgjedhjet për kryetar të FFK-së.

Gara duket të jetë e nxehtë, por sipas raporteve që vijnë nga terreni, presidenti aktual Agim Ademi mbetet favoriti numër një për ta vazhduar punën në krye të FFK-së, derisa ai kundërdandidat tash për tash ka Arjanit Ahmeti dhe Remzi Ejupin, shkruan Demokracia.com.

Megjithatë, ajo që bie në sy në këtë start të hapjes së fushatës, janë sulmet e shumta në adresë të FFK-së e të cilat sipas njohësve mund të kenë ndikim edhe në rrjedhën e kampionatit.

Me këtë pajtohet edh ish-futbollisti dhe trajneri i mirënjohur kosovar, Afrim Tovërlani. Ai në një bisedë për Demokracia.com, ka thënë se Kosova është vend i vogël dhe të gjithë e dimë kush dhe çfarë ka dhënë për futbollin kosovar, por sipas tij duhet ta shohim punën në terren e jo të bazohemi në atë se çfarë flasin dhe zbukurojnë mediumet.

“A mund të ketë ndikim kjo fushatë në kampionat, them se mundet edhe nuk mundet. Ka individ dhe grupe ashtu qysh ka pasur gjithmonë, që gabimet dhe fajin e ngecjet e tyre i kanë adresuar diku tjetër. Gjithmonë ka pasur e do të ketë kundërshtarë dhe apetite jo reale”, ka thënë Tovërlani duke shtuar.

“Me të njëjtin avaz po vazhdojmë, por fillimisht klubet dhe ata që thirren në vota e kushtëzime duhet të nisen nga vetvetja para se të akuzojnë dikë tjetër. Jetojmë në Kosovë dhe e njohim e dimë për secilin se kush çka është e çfarë kanë bërë për futbollin. Thjesht është interesi i të gjithëve dhe jo ajo çka flasin e zbukurojnë në mediume”, ka përfunduar ish-trajneri më i suksesshëm në bankinën  e Prishtinës, Afrim Tovërlani. /Demokracia.com

Të ngjashme