Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se arrestimet të cilat janë kryer të enjten në disa komuna për aferën “Brezovica”, tregon përkushtimin e Qeverisë për luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Sallahu ka thënë me veprime si këto “vendi do të kthehet nga e mbara”.
Sipas tij, vetëm me veprime si të sotmet nga institucionet përkatëse garantohet shteti i së drejtës.
“Vazhdimi i hetimeve për aferën “Brezovica” ka çuar sot në arrestimin e edhe të 7 personave të tjerë, 3 nga të cilët ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe 4 pronarë të kompanive ndërtimore. Ndërkohë, janë kryer po ashtu edhe dhjetëra bastisje në disa qytete të vendit tonë lidhur me rastin dhe provat për të dyshuarit. Sot, si Qeveri me përkushtim maksimal për luftim të krimit dhe korrupsionit në çdo sferë, jemi të bindur se vendin tonë do ta kthejmë kah e mbara. Vetëm kështu garantohet shteti i së drejtës të cilin patjetër që do ta bëjmë”, ka shkruar Sallahu.
Afera “Brezovica” ka të bëjë me ryshfet dhe ndërtime pa leje në zonat e mbrojtura, në të cilën ishte e përfshirë edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, i cili dyshohet se për katër vjet ka marrë para dhe dhurata në këmbim të dhënies së lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”.