Sport
Infrastruktura e dobët, problemi që po ndryshon mendjet e futbollistëve të “rangut të lartë” të vijnë në Kosovë
Demokracia
16:00 | 06 Mars 2021

Share:

Javë më parë, Trepça ’89 kishte arritur marrëveshje në parim me ish-futbollistin e Lazios, Galatasarayt dhe Torinos, Luis Cavanda për ta sjellur në futbollin kosovar.

Palët ishin marrë vesh për kushtet e futbollistit afrikan, derisa klubi mitrovicas kishte zyrtarizuar ardhjen e Cavandas në “Riza Lushta”, raporton Demokracia.com.

Por, me të ardhur në Kosovë, gjërat morën kahje tjetër.

Cavanda kishte mbetur i trishtuar me infrastrukturën e stadiumeve në Kosovë, gjë që bëri që ai të ndryshojë mendje dhe të largohet me avionin e parë nga vendi i ynë.

Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka e kishte shoqëruar Cavandën në stadiumet “Riza Lushta”, “Adem Jashari” madje edhe në “Fadil Vokrri”, por ai kishte mbetur i pakënaqur.

Krejt kjo falë infrastrukturës së dobët si brenda ashtu edhe jashtë stadiumeve në futbollin e Kosovës.

Demokracia.com ka kontaktuar analistët dhe trajnerët Muhamet Dragusha, Genc Sermaxhaj dhe Erdin Hashani, të cilët kanë thënë se në këtë drejtim duhet punuar më shumë

Dragusha:  Duhet t’i jepet rëndësi më shumë infrastrukturës së brendshme

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar dhe tani trajner në një shkollë futbolli, Muhamet Dragusha ka thënë se infrastruktura e sotme me atë të kohës kur ai ka luajtur futboll, dallon shumë.

“Infrastruktura në dallim me kohën kur kam luajtur unë dhe tani, kanë ndryshim të madh, edhe pse kemi disa sintetike, por përsëri mund të luhet ndeshje futbolli”, ka thënë Dragusha, duke vazhduar:

“Sa i përket infrastrukturës së brendshme, mund të ndryshohen shumë. Mendoj se duhet t’i jepet një rëndësi më të madhe kësaj pune pasi luan një rol të madh në organizimin e klubit”.

Sipas tij, klubet që nuk janë të privatizuara duhet të kërkojnë ndihmë nga komunat përkatëse për t’ua plotësuar kushtet.

“Në qoftë se është një kujdes të madh, edhe lojtarët mund të jenë më komod dhe mund të bëjnë dushe në stadium dhe jo në shtëpi”, tregoi ai.

“Duhet të bëjnë një marrëveshje klubet që nuk janë të privatizuara me komunën që t’ua plotësojnë kushtet futbollistëve që ata të ndihen më rehat”, përfundoi të shtunën Muhamet Dragusha për Demokracia.com.

“Futbollistët që kanë luajtur në rangje më të larta hezitojnë të vijnë në Kosovë”

Ish-futbollisti kosovar dhe trajneri i Dritës U19, Genc Sermaxhaj e ka komentuar çështjen në fjalë.

Sipas tij, “infrastruktura” ofron më shumë rehati për t’i shikuar ndeshjet e futbollit.

“Infrastuktura është njëri prej faktorëve të cilësisë jo të kënaqshme të skuadrave tona. Përveç asaj, infrastruktura e bën ambientin më sportiv ku me rehati mund të luhet dhe të shikohet një ndeshje futbolli”, ka thënë Sermaxhaj për Demokracia.com duke vazhduar:

“Futbollistët të cilët kanë luajtur në ndonjë rang më të lartë e në kushte më të mira infrastukturore qoftë për stërvitje dhe fusha për ndeshje zyrtare, ata hezitojnë të pranojnë për të luajtur në terrene e kushte të rënduara, pasi edhe mund të lëndohen”.

Sipas tij, futbollistët e “rangut më të lartë” mund të vijnë në Kosovë vetëm nëse janë në përfundim të karrierës.

“Futbollistët që janë moshë të mesme dhe kërkohen nga klubet tona, ata refuzojnë. Ndërsa mund të pranoj dikush që është në përfundim të karrierës. Duhet t’i japim më shumë këtij aspekti në bashkërendim me kërkesat dhe nevojat tjera të një klubi. Por, gjithsesi duhet edhe klubet të kenë mbështetje nga shteti për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme”, përfundoi Sermaxhaj.

Hashani thotë se me përmirësimin e infrastrukturës, ndeshjet do të jenë më cilësore

Ish-futbollisti dhe tash trajneri i Vjosës së Shtimes, Erdin Hashani ka kërkuar që të ketë përmirësime në stadiumet e futbollit kosovar.

“Duhet t’i jepet rëndësi shumë infrastrukturës si brenda ashtu edhe jashtë stadiumit. Sidomos duhet të jenë fushat dhe zhveshtoret me kushte të paktën standarde. Sepse siç e dimë sidomos zhveshtoret e skuadrave mysafire nuk i kanë kushtet e mira apo ka stadiume që as kushte minimale nuk kanë”, ka thënë Erdin Hashani.

Ai thotë se shpreson që të investohet më shumë në këtë drejtim.

“Shpresoj në të ardhmen këto kushte të ndryshojnë pasi po investohet në futbollistë dhe po paguajnë investime të mëdha për ta, andaj duhet të jetë kusht mendoj edhe nga federata që zhveshtoret të jenë të mira. Poashtu, është koha që edhe fushat të jenë më të mira sepse kemi futboll më të bukur dhe kur një fushë është e mirë, çdo vit mund të rritet cilësia e lojës dhe do të jetë më e shpejtë”, deklaroi të shtunën për Demokracia.com Erdin Hashani. /Demokracia.com

 

Të ngjashme