Kryetari i ri i Shtimes, Qemajl Aliu, që prej ardhjes së tij në krye të komunës nuk po i ndalë largimet nga puna.
Së fundmi është larguar nga puna edhe Hazbije Muharremi nga fshati Zborc, shkruan Demokracia.com.
Bashkë me të mësohet se janë larguar edhe pesë punëtorë të tjerë.
Muharremi, pas dhjetë muaj punë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtime, është larguar nga puna pa ndonjë paralajmërim dhe pa asnjë arsye.
Largimin e papritur nga puna e ka konfirmuar vetë Hazbije Muharremi.
Ajo në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se në QKMF ka punuar si pastruese që prej dhjetë muajsh.
Muharremi tha se ditën e martë është njoftuar nga drejtoria e QKMF-së që të mos shkojë më në punë.
“Po, më kanë larguar dje. Nuk mundem me ditë as vetë arsyen. Kam punuar që dhjetë muaj. Mua më kanë lajmëruar nga ambulanta”, tha ajo për Demokracia.com.
Muharremi është kryefamiljare. Ajo në një aksident para 13 vitesh e ka humbur bashkëshortin dhe e vetme i rritë tre fëmijët e saj.
“Kushtet mesatare, me kapërcy diqysh. Jam kryefamiljare. I kam tre djem. I vogli është 13 vjeç”, tha Muharremi për Demokracia.com.
Ajo tregon se ende nuk është ankuar askund dhe po mbanë shpresë se do ta thërrasin prapë që të vazhdojë punën.
“Jo nuk jam ankuar, thashë të pres edhe naj ditë. Po këqyri po maj ymyd. Kam me ba ankesë. Dje pata pasdite me shku në punë, vec më thanë mos hajde. Po pres edhe pak ditë, po patjetër du me ditë problemin për çka mem largu mua. Unë jam kryefamiljare. Nuk kam pas mundësi me punu më herët se i kam pas fëmijët e vegjël. Tash këqyra me hi që dhjetë muaj që punoj, por më larguan”, ka treguar Muharremi.
Demokracia.com ka raportuar edhe javë më parë për largimet nga puna të disa familjarëve të familjeve të dëshmorëve.
Po ashtu, Demokracia.com ka raportuar se “çlirimtari” i Shtimes kishte larguar nga puna 9 punëtorë të Qendrës për Punë Sociale, dy prej të cilëve familjarë të dëshmorëve të UÇK-së që punonin në një projekt të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, i cili në kohën e ish-kryetarit Naim Ismajli ofronte shërbime për personat pa përkujdesje familjare. Për ofrimin e këtyre shërbimeve shëndetësore dhe sociale, DSHMS-ja kishte kontraktuar OJQ ”Caritas Kosova”.
“Çlirimtari” i Shtimes i largon nga puna familjarët e dëshmorëve të UÇK-së
Megjithatë, ky nuk është i vetmi veprim skandaloz i kryetarit Qemajl Aliu, pasi që ai vetëm pak ditë pasi i fitoi zgjedhjet e bëri edhe një postim të çuditshëm, duke iu referuar fitores së tij si çlirim i Shtimes përsëri pas 22 vitesh.
“Më n‘fund pas 22 vitesh, Shtimja ime përsëri është e lirë!”, ka shkruar Aliu.
I vetëshpalluri “çlirimtar” i Shtimes vetëm pak pasi që kishte fituar ishte braktisur nga dy asamblistë për shkak të pakënaqësive me punën e tij.
Braktiset “çlirimtari” i Shtimes, asamblistët Mujota e Selmani largohen nga LVV-ja
Qytetarëve të Komunës së Shtimes u është rritur pakënaqësia me qeverisjen e deritashme të kryetarit Qemajl Aliu. /Demokracia.com/
DemokraciaVOX| Qytetarët e pakënaqur me qeverisjen e “çlirimtarit” të Shtimes