Lajme
10 mijë eurot e Sveçlës për këshillimin e kryetarit dhe deputetëve të LVV-së
Demokracia
16:36 | 28 Shkurt 2022

Share:

Xhelal Sveçla përfitoi rreth 10 mijë euro gjatë viti 2020 për këshillimin e “kryetarit dhe Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje”, tregon formulari i publikimit financiar të ministrit aktual pranë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Para zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, 2021, në deklarimin e pasurisë pranë KQZ-së, asokohe kandidati për deputet deklaroi se kishte pranuar pagë prej 9,800 euro nga Lëvizja Vetëvendosje.

Të ardhurat, Sveçla ka deklaruar se i kishte pranuar për angazhimin e tij si këshilltar i kryetarit dhe Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tregon formulari i pasurisë së ministrit të Punëve të Brendshme, i dorëzuar pranë KQZ-së.

Formulari është publikuar nga KQZ-ja këtë vit, raporton Paparaci. Ai është plotësuar nga ministri Sveçla më 16 janar të vitit 2021, rreth një muaj para zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit.

Në llogaritë bankare, Sveçla ka deklaruar mbi 5 mijë euro të holla. Vetëm 500 euro i ka deklaruar në pronësi të tij. Të tjerat, i ka deklaruar si pronë e bashkëshortes së tij.

Si pasuri të patundshme, Sveçla ka deklaruar një shtëpi me sipërfaqe prej 300 metrave katëror me vlerë prej rreth 600 mijë eurove.

Ministri i Punëve të Brendshme, ka deklaruar pronësi mbi një lokal afarist të vlefshëm rreth 650.000 euro, si dhe truall me sipërfaqe 430 metra katëror, në vlerë prej 100.000 eurove.

Sipas formularit të pasurisë së Sveçlës, ai i ka një borxh prej 7.530 euro në bankën Procredit, rrjedhojë e një kredie bankare.

Të ngjashme