Ambasadori i Rusisë në Serbi, Alexander Bocan-Kharchenko, ka thënë se Rusia i mirëkupton interesat kombëtare të Serbisë dhe pozicionin nën presion të Perëndimit për t’i vënë sanksione Moskës.
Në një deklaratë për “Tanjug” ai ka thënë se Moska s’kërkon asgjë nga Beogradi duke marrë parasysh qëndrimet e përhershme të këtij shteti pro Rusisë.
Sipas tij, Perëndimit nuk ia ndien për interesat e të tjerëve edhe nëse janë shtete kandidate për pranim në Bashkimin Evropian.
“Për ta është me rëndësi që çdo shtet t’u bashkohet në idetë politike. Rusia është e mësuar me presion, por e kupton edhe se çfarë presioni ka mbi Serbinë dhe s’po kërkon asgjë nga ajo, sepse e di se si kanë qenë marrëdhëniet tona viteve të fundit dhe në çfarë niveli ka qenë partneriteti jonë strategjik”, ka thënë ai.
Serbia të premten u shpreh se e përkrah integritetin territorial të Ukrainës, por nuk i dënoi aktet e Rusisë. Madje e cilësoi të hershme marrjen e sanksioneve siç kanë bërë shumica e shteteve perëndimore.