Lajme
BE-ja vendos sanksione ndaj Putinit dhe Lavrovit
Demokracia
19:53 | 25 Shkurt 2022

Share:

BE-ja ka rënë dakord të ngrijë asetet evropiane të lidhura me presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov lidhur me vendimin e tyre për të pushtuar Ukrainën, thanë zyrtarët e BE-së të premten.

Ministrat e Jashtëm të BE-së po takoheshin në Bruksel për të shqyrtuar detajet dhe për të miratuar zyrtarisht sanksionet, të përshkruara si më të ashprat e vendosura ndonjëherë nga blloku.

“Ne po godasim sistemin e Putinit aty ku duhet goditur, jo vetëm ekonomikisht dhe financiarisht, por edhe në zemër të fuqisë së tij”, tha Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock teksa mbërriti për një takim në Bruksel me homologët e BE-së.

Kjo është arsyeja pse “ne rendisim tani edhe presidentin, zotin Putin dhe ministrin e Jashtëm Lavrov” në një paketë sanksionesh të reja të rënë dakord nga krerët e BE brenda natës, tha ajo, shkruan Aljazeera.

Ministri i Jashtëm Letonez Edgars Rinkevics shkroi në Twitter se ministrat e jashtëm të bllokut 27-vendesh miratuan paketën e sanksioneve dhe “ngrirja e aseteve përfshin Presidentin e Rusisë dhe Ministrin e Jashtëm të saj”.

Ministri i Jashtëm austriak Alexander Schallenberg tha se masa do të ishte “një hap unik në histori drejt një fuqie bërthamore, një vend që ka një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit, por gjithashtu tregon sa të bashkuar jemi ne”.

Ishte e paqartë se cili do të ishte ndikimi praktik mbi Putinin dhe Lavrovin dhe sa të rëndësishme ishin asetet e tyre në BE.

Një veprim po aq i madh do të ishte ndalimi i Putinit dhe Lavrovit nga udhëtimi në BE.

Por udhëheqësit e BE-së e kanë bërë të qartë se kjo do të ishte jashtë tryezës për momentin, pasi mund të ndërlikojë lëvizjet diplomatike pasi të gjitha palët të shkojnë rreth tryezës së negociatave.

Të ngjashme