Lajme
Von Cramon-Serbisë: Dënojeni invazionin rus, koha për t’u ulur në dy karrige ka përfunduar
Demokracia
15:46 | 25 Shkurt 2022

Share:

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola Von Cramon, ka thënë se ka përfunduar koha që Serbia të jetë edhe me BE-në edhe me Rusinë.

Von Cramon një një postim në rrjetin social “Twitter” ka shkruar se është koha e fundit që presidenti i Serbisë të dënojë agresionin rus në Ukrainë.

“Është koha e fundit për Qeverinë e Serbisë dhe Presidentin e Serbisë që publikisht ta dënojnë invazionin rus në Ukrainë.  Koha për t’u ulur në dy karrige ka përfunduar. Mos-animi me tërë Evropën në këtë çështje do ta vendosë Serbinë në vet-izolim”, ka shkruar ajo.

Kujtojmë se pavarësisht takimeve të Këshillit për Siguri Kombëtare dhe Qeverisë së Serbisë, Beogradi zyrtar ende nuk e ka bërë të ditur qëndrimin e tij lidhur me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Beogradi ka edhe 36 orë kohë për këtë vendim, siç ka paralajmëruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që Serbia t’i përgjigjet kërkesave për harmonizim me vendimin e Bashkimit Evropian për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Më 22 shkurt, BE-ja vendosi një pako sanksionesh kundër Rusisë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, njohu rajonet separatiste në Ukrainën lindore – Donjeck dhe Luhansk. Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, një paketë e re “më e rëndë” e sanksioneve u paralajmëruar nga Brukseli.

Sipas informacioneve jozyrtare, siç raportojnë disa media të Beogradit, takimi i ri i Këshillit të Sigurisë Kombëtare do të mbahet të premten, më 25 shkurt. Sipas këtyre raportimeve, Vuçiq më pas do t’u drejtohet qytetarëve në orën 18:00.

Nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e cila tashmë është mbajtur, bëhet e ditur vetëm se Vuçiq ka shkëmbyer informacione për situatën në rajon dhe Ukrainë. Kështu thuhet në llogarinë në Instagram të presidentit të Serbisë.

Vuçiq ka marrë pjesë edhe në seancën e rregullt të Qeverisë së Serbisë, e cila zakonisht mbahet të enjten. Edhe pse fjalimi i tij ishte paralajmëruar në seancën e Qeverisë në të cilën u diskutua për situatën në Ukrainë dhe rajon, ky fjalim nuk u transmetua publikisht./Demokracia.com/

Të ngjashme