Gjilani ka shënuar fitore të rëndësishme kundër Dukagjinit të Klinës në stadiumin e qytetit në Gjilan.
“Kuqebardhët” triumfuan 2:1 në një ndeshje ku të gjithë golat u realizuan nga pika e bardhë e penalltisë, shkruan Demokracia.com.
Kryetrajneri i Dukagjinit, Armend Dallku është shprehur i kënaqur me angazhimin e lojtarëve të tij, por jo edhe me rezultatin.
Dallku ka thënë se Gjilani nuk bëri asgjë në lojë kundër tyre, përveç penalltive të realizuara.
“Është një humbje shumë e dhimbshme duke pasur parasysh lojën që treguam në fushë. Kundërshtari nuk bëri asgjë, përveç dy penalltive. Ne krijuam raste, qëlluam shtyllën dhe luajtëm shumë mirë. Gradualisht po luajmë mirë dhe jam i lumtur me angazhimin e lojtarëve. I kënaqur me angazhimin por jo edhe me rezultatin, por unë besoj në këtë ekip dhe pres që të kthehemi te rezultatet pozitive. Po ashtu, edhe fati nuk po është në anën tonë por unë jam optimist i madh se do t’i kthehemi rezultateve pozitive”, ka deklaruar Dallku për Art Sport.
Gjilani me këtë fitore ndodhet në pozitën e dytë me 42 pikë, aq sa ka edhe Ballkani lider. Dukagjini vazhdon të mbetet në kuotën e 18 pikëve në vendin e parafundit në tabelë./Demokracia.com/