Prishtina e ka regjistruar edhe ndeshjen e tretë radhazi pa fitore në kampionat, duke u ndalur edhe nga Drenica.
Kampionët në fuqi të Kosovës barazuan pa gola me Drenicën në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, shkruan Demokracia.com.
Kryetrajneri i Prishtinës, Abdulah Ibrakoviq pas ndeshjes ka thënë se është shqetësuese për faktin se skuadra e tij nuk po shënon gola.
“Natyrisht, në Prishtinë gjithmonë ka presion kur nuk fiton. Por, në dy ndeshjet e fundit nuk jam edhe shumë i zhgënjyer bazuar në angazhimin e lojtarëve duke pasur parasysh se janë disa gjëra tjera administrative që po ndikojnë dhe shpresoj që të rregullohen. Kemi pasur raste por nuk arritëm të shënojmë gola dhe kjo është shqetësuese. Problemet brenda klubit janë personale por e kemi përtërirë ekipin dhe çdo ndeshje po luajmë më mirë e më mirë”, është shprehur Ibrakoviq për Art Sport.
Me këtë barazim, Prishtina mbetet në pozitën e gjashtë me 25 pikë, ndërsa Drenica radhitet një vend më lart me tri pikë më shumë./Demokracia.com/