Lajme
Kosova shpenzoi afër 10 milionë euro për shërim jashtë vendit, shumica fëmijë nën 18 vjeç
Demokracia
19:25 | 26 Shkurt 2022

Share:

Shumë fëmijë janë në pritje të donacioneve për trajtim të sëmundjeve jashtë vendit. Shifrat për ta mbuluar shërimin e tyre janë të mëdha dhe nuk arrijnë të mbulohen nga prindërit dhe familjarët. Ata detyrohen të kërkojnë ndihmë nga komuniteti dhe njerëzit e vullnetit të mirë.

Ministria e Shëndetësisë i përpilon listat për të financuar shërimin e qytetarëve të Kosovës jashtë vendit kurdo që nuk mund të trajtohen në Kosovë. Lista është e gjatë, e përplot burokraci. Derisa të sëmurëve u vjen radha, ata edhe mund të vdesin. Krejt kjo shkaku i një sistemi të dobët shëndetësor në Kosovë.

Nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor kanë treguar se në vitin 2021, në kuadër të Programit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, kanë pranuar 1122 aplikacione.

“451 janë raste të rregullta dhe 671 janë raste urgjente. Në kuadër të këtij programi për TMIJShP, gjatë vitit 2021 brenda vendit janë shpenzuar 434 mijë e 866 euro, ndërsa jashtë vendit janë shpenzuar gjithsej 9 milionë e 400 mijë e 993 euro”, kanë thënë për Demokracia.com nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor.

Edhe këtë vit, lista e atyre që presin ndihmë nga shteti për t’u shëruar është e madhe, por që shteti i kategorizon në raste urgjente dhe raste të rregullta.

“Në kuadër të programit TMJIShP, në vitin 2022 deri më tani kanë aplikuar 157 raste, prej tyre 86 janë raste urgjente, që nënkupton se kanë marrë trajtim të menjëhershëm dhe 69 janë raste të rregullta, në pritje për të marrë trajtimin e tyre, siç është përcaktuar me Udhëzimin Administrativ NR.03/2017”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në vitin 2017, ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, kishte nënshkruar Udhëzimin Administrativ NR.03/2017, që parashihet t’i ndihmojë qytetarët e Kosovës që nuk kanë mundësi shërimi jashtë vendit.

Në nenin 4 të këtij Udhëzimi Administrativ thuhet se çdo qytetar dhe banor/shtetas i Republikës së Kosovës ka të drejtë të aplikojë në programin për TMJISHP kur shërbimi i caktuar shëndetësor nuk i ofrohet në institucionet publike shëndetësore, në pajtim me dispozitat e këtij Udhëzimi Administrativ.

Megjithatë, shqetësues është fakti që shumica e atyre që kërkojnë shërim për sëmundje të rënda janë nën 18 vjeç.

“Është një numër i lartë i aplikimeve, mirëpo moshat të cilat më së shumti kërkojnë mbështetje financiare për trajtimin e sëmundjeve të tyre jashtë institucioneve shëndetësore publike janë 0-18 vjeç”, thonë për Demokracia.com nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor.

Ndihma kërkohet kryesisht për sëmundje malinje, që janë të pashërueshme dhe në Kosovë nuk trajtohen.

“Sëmundjet që kërkojnë ndihmë financiare për shërim jashtë vendit, me të shpeshta janë: sëmundjet malinje (si leukemia), sëmundjet e kardiokirurgjisë së fëmijëve, rastet ortopedike, etj.”, kanë thënë për Demokracia.com nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor.

Turqia vazhdon të jetë vendi ku dërgohen për shërim më së shumti qytetarët e Kosovës.

“Vendet në të cilat më së shumti marrin shërbim shëndetësor janë: Turqia, Kosova, Maqedonia, Shqipëria, si dhe vendet tjera evropiane”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

Kosova ka një sistem shëndetësor jo shumë konkurrues me vendet e rajonit dhe në mungesë të pajisjeve shumë qytetarë dërgohen për shërim jashtë vendit. /Demokracia.com/

Të ngjashme