Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dërguar shkresa të veçanta në gjashtë institucione, përmes së cilave pritet që më pas të konfirmohet përshtatshmëria e kandidatëve, për zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 14 shkurt.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një prononcim për Demokracia.com, ka thënë se Neni 29 flet për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatit dhe tregon se kush nuk mund të çertifikohet si kandidat për deputet.
Elezi mes tjerash ka treguar se kanë dërguar shkresa në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Germa ‘e’ në nenin 29 thekson se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është e) pjesëtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët nuk janë pjesëtar të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, kemi kërkuar nga ky institucion të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë pjesëtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Germa ‘c’ në nenin 29 theson se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: c) pjesëtar i Policisë së Kosovës. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët nuk janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës kemi kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve, nëse janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Germat ‘b’ dhe ‘k’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: b) pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës; dhe k) pjesëtar i forcave të armatosura të ndonjë shteti. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët përmbushin edhe këtë kriter, kemi kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve, nëse janë pjesëtarë të forcave të armatosura të Kosovës.
Germa ‘g’ në nenin 29 theson se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: g) përfaqësues diplomatik. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët nuk janë përfaqësues diplomatik, kemi kërkuar nga Ministria e Jashtme të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë përfaqësues diplomatik.
Germat ‘a’, ‘p’ dhe ‘q’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: a) gjykatës apo prokuror në Kosovë ose gjetkë; p) me anë të vendimit të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe q) i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre (3) vitet e fundit. Prandaj, kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë gjykatës; nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës, me të cilin i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe nëse janë shpallur fajtor për vepër penale, me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre (3) vitet e fundit;
Germat ‘o’, ‘r’, dhe ‘s’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person të cilit o) me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it i është hequr e drejta për të qenë kandidat; r) ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i; dhe s) ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhëri të PZAP-it. Prandaj, kemi kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve, nëse janë subjekt i vendimit të PZAP-it për t’iu hequr e drejta për të qenë kandidat; nëse kanë dështuar të paguajnë gjobën e vënë nga PZAP-i; dhe nëse kanë dështuar t’i përmbahen ndonjë urdhëri të PZAP-it. Në frymën e obligimeve kushtetuese dhe ligjore për bashkëpinim ndërinstitucional ne kemi kërkuar nga këto institucione që në afatin më të shkurtër të mundshëm, por jo më vonë se më 20 janar 2021, në orën 12:00, të na përgjigjen në kërkesat tona për verifikim./Demokracia.com