Mbretëresha e Britanisë, Elizabeth II ka anuluar angazhimet e planifikuara virtualisht për ditën e sotme sepse ende ka simptoma të lehta Covid-19.
“Meqenëse Madhështia e Saj ende po përjeton simptoma të lehta të ngjashme me të ftohtin, ajo ka vendosur të mos ndërmarrë angazhimet e saj virtuale të planifikuara sot, por do të vazhdojë me detyra të lehta”, thotë Buckingham Palace.
CNN raporton që edhe angazhimet e javës së ardhshme të Mbretëreshës do të shtyhen, por sapo të bëhet më mirë do të fillojë menjëherë me zhvillimin e takimeve.
Pallati njoftoi të dielën se Mbretëresha ishte infektuar me Covid, ndërkohë që pak ditë më parë ishin infektuar edhe princi Charles dhe Camilla.
Mediat në Mbretërinë e Bashkuar raportojnë se Mbretëresha është plotësisht e vaksinuar, por nuk ka pranuar të zbulojë informacione më shumë në lidhje gjendjen shëndetësore duke përmendur privatësinë mjekësore.