Nga: Simon Kuper “Financial Times”
Në vitin 1946, agresioni në rritje i Kremlinit po e shqetësonte shumë Uashingtonin. Për ta shpjeguar atë, Xhorxh Kenan, një diplomat amerikan në Moskë, shkroi “Telegramin e gjatë” prej 5400 fjalësh. Një vit më vonë, ai zgjeroi pikëpamjet e tij në një artikull anonim për revistën “Foreign Affairs”.
Shkrimet e tij frymëzuan politikën e“frenimit” që përdori Perëndimi ndaj Bashkimit Sovjetik, e cila qëndroi në fuqi gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, edhe pse Kenan shprehej shpesh se ajo u bë shumë agresive dhe e militarizuar.
Në fundin e jetës (vdiq në moshën 101-vjeçare në vitin 2005), ai e kundërshtoi zgjerimin e NATO-s në Evropën Lindore. Një rusofil që gjithmonë donte të shkruante një biografi të shkrimtarit rus Anton Çehov, Kenan kishte një pikëpamje të vjetër mbi mendësinë ruse.
Në disa pjesë, shkrimet e tij parashikojnë frikshëm udhëheqësin e sotëm rus Vladimir Putin, i cili si oficer karriere i KGB-së, është një fëmijë i epokës sovjetike. Por Kenan mund të na ndihmojë ende sot që të kuptojmë sjelljet e Rusisë në krizën aktuale dhe më gjerë.
Besimi thelbësor i Kremlinit, shpjegoi më pas ai, ishte se një Perëndim armiqësor do të shembet nën kontradiktat e veta. Dhe se një ditë Bashkimi Sovjetik do t`i jepte “grushtin përfundimtar” Perëndimit. Putini e trashëgoi këtë botëkuptim, dhe përvojat e tij jetësore, e përforcuan atë.
Në vitin 1989, i caktuar me mision në Dresden, ai pa Gjermaninë Lindore komuniste të shembej nën kontradiktat e veta. Në vitin 1991, radhën e kishte Bashkimit Sovjetik tij.
Ndaj ai mund ta imagjinojë lehtësisht që po kështu mund të ndodhë edhe me shoqëritë perëndimore.
Për të përshpejtuar kolapsin e këtyre të fundit, paralajmëroi Kenan, Rusia do të “stimulonte të gjitha format e përçarjes” në Perëndim. “Të varfrit do të pozicionohen kundër të pasurve, zezakët kundër të bardhëve, të rinjtë kundër të moshuarve, të ardhurit kundër banorëve autoktonë etj.”- theksonte diplomati amerikan.
Pjesa më e madhe e kësaj do të kryhej në fshehtësi nga agjencitë sekrete, për veprimin e të cilave“qeveria sovjetike nuk pranon të mbajë përgjegjësi”, shkroi ai, duke parashikuar saktësisht grupimet e sotme kibernetikë që angazhohen në fushatat e keqinformimit apo sulmet në sistemet kompjuterike perëndimore.
Po ashtu, Kenan paralajmëroi mbi përpjekjet e Kremlinit për të përçarë aleancat perëndimore, dhe kjo na ndihmon të kuptojmë edhe 5 orët e negociatave midis Putinit me presidentin francez Emanuel Makron.
Dhe Kenan nënvizoi se Moska inkurajonte“elementët perëndimorë”, kryesisht komunistë, pikëpamjet e të cilëve përkonin me interesat sovjetike. Brezi i sotëm i avokatëve pro-Kremlinit apo anti-NATO-s përfshin Donald Trump, Taker Karlson, Gerhard Shrëder, Marin Lë Pen dhe Xheremi Korbin.
Rusia do ta luftojë Perëndimin nëpërmjet gënjeshtrave, paralajmëroi Kenan: “Udhëheqja është e lirë të parashtrojë për qëllime taktike çdo tezë të veçantë, të cilat ajo i sheh si të dobishme për kauzën në një moment të caktuar”.
Pra, sot zyrtarët rusë i mohojnë kërcënimet ndaj Ukrainës, ndërsa thonë se “provokimet” perëndimore mund të nxisin një pushtim rus të kësaj të fundit. Kenan ishte shumë më dashamirës ndaj “popullit rus”. Sipas tij, ata ishin “në përgjithësi miqësorë me botën e jashtme . . . të etur të shprehnin talentet që janë të vetëdijshëm se i zotërojnë, të etur mbi të gjitha për të jetuar në paqe”.
Duke filluar nga viti 1946, shtoi ai, rusët e zakonshëm po zhgënjeheshin gjithnjë e më shumë:“Asnjëherë që nga përfundimi i luftës civile, masa e popullit rus nuk është distancuar kaq shumë emocionalisht nga doktrinat e Partisë Komuniste”.
Rusët e sotëm janë po aq të pakënaqur. Putin ishte dikur i paprekshëm. Sipas Bankës Botërore, gjatë viteve 1999-2013, PBB-ja ruse për frymë u rrit 12 herë në 15.974 dollarë. Pastaj erdhi aneksimi i Krimesë, një akt shumë i pëlqyeshëm nga Putin.
Por nga viti 2014 deri në vitin 2020, PBB për frymë ra me 37 për qind, ndërsa korrupsioni u bë gjithnjë e më i përhapur. Së fundmi Putin e ka keq-menaxhuar pandeminë e Covid-19. Rënia e popullsisë ruse me mbi 1 milionë vetëm vitin e kaluar, ishte më e madhja që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.
Ashtu si sundimtarët sovjetikë të kohës së Kenan, Putin e mobilizon mbështetjen popullore duke paralajmëruar rrezikun e pushtimit të Rusisë nga Perëndimi. Por kërcënimi i jashtëm është një iluzion. Asnjë demokraci perëndimore nuk e ka sulmuar Rusinë apo fqinjët e saj në një shekull.
Rusia, autorja e vetme e pushtimeve në rajonin e saj që nga viti 1945, po pretendon rolin e viktimës. Dhe çfarë do të bëjë Putin në Ukrainë ? Kenan theksonte se sundimtarët rusë ishin të kujdesshëm. Ata nuk nxitonin qëtë shkaktonin kolapsin e pashmangshëm të Perëndimit. Kjo do të thoshte se fuqitë perëndimore mund t’i frenonin ata nëpërmjet një “kufizimit të madh” por pa luftë.
Unë mendoj se Kenan do ta shihte armatimin e Ukrainës nga Perëndimi, si një mënyrë për të rritur koston e Rusisë në këtë pushtim. Analiza e tij nënkupton se Putini mund të aneksojë një copë tjetër nga Ukraina, por jo të tentojë një pushtim afatgjatë.
Kenan e paralajmëroi Uashingtonin që të mos synonte ta poshtëronte Kremlinin. Perëndimi duhet të jetë në gjendje të qëndrojë i vendosur, shkroi ai. Tek e fundit, aksionet e saj në Bashkimin Sovjetik ishin shumë të vogla.
“Këtu nuk kemi investime për të ruajtur, dhe as ndonjë volum tregtar për të humbur”- theksoi ai. Por sot kjo gjë është më pak e vërtetë. Varësia e Gjermanisë nga gazsjellësit rusë dhe roli i Londrës si një lavatriçe e parave të elitës Putiniste, po krijojnë të çara serioze në aleancën perëndimore.
Thënë këto, qëndron ende teza qendrore e Kenan: “Krahasuar me botën perëndimore në tërësi, sovjetikët janë ende forca më e dobët”. Gjithashtu ai vuri në dukje vështirësinë e transferimit të pushtetit nga një autokrat që sundon prej kohësh Rusinë. Në kohën e tij, ishte Stalini. Kenan e riktheu në vëmendjen e SHBA-së botë kuptimin e Kremlinit. Ai e pranoi se do të shembej një shoqëri, por ajo nuk do të ishte Perëndimi./ Përshtatur nga CNA.al