Në rajonin veriperëndimor të Spanjës thatësirë e madhe ka nxjerrë në dritë një pikë të fshehur turistike që ka tërhequr vëmendjen e gjithë botës. ‘Fshati fantazmë’ i Aceredos u përmbyt në 1992 që të krijohej rezervuari Alto Lindoso. Por pas 30 vjetësh nën ujë, rrënojat e tij janë bërë të dukshme pasi niveli i ujit në digë u tkurr në 15% të kapacitetit të përgjithshëm.
Ringjallja e Aceredos pason janarin më të nxehtë të regjistruar në Spanjë, me temperatura mesatare ditore mbi 2 gradë Celsius më të ngrohta se në vitet e mëparshme. Është gjithashtu dimri i pestë më i thatë i vendit, me reshje shiu në vetëm një të tretën e mesatares sezonale.
Ata që vizitojnë mbetjet e Aceredos kanë mundësi të shohin një fshat ku banesat me baltë janë të plasaritura, çatitë janë pjesërisht të shembura, ka shumë mbeturina druri dhe makina të braktisura në të gjithë qytetin, duke krijuar një imazh të asaj se si ishte jeta dikur në këtë vend të harruar.
Për një pjesë rishfaqja e Aceredo nënkupton nxitjen e rritjes së industrisë së turizmit të Spanjës. Gjatë pandemisë së koronavirusit, vendi humbi deri në 110 miliardë euro të ardhura nga sektori i udhëtimeve dhe 800,000 njerëz humbën punën.
“Turistët janë të mirëpritur për sa kohë që njerëzit veprojnë me përgjegjësi,” thotë Maria Del Carmen Yanez, kryebashkiaku i Concello De Lobios, organi qeverisës i zonës.
“Është nostalgjike për ta të shohin shtëpinë e një anëtari të familjes, të tyren ose të dikujt që e njohin të rishfaqet.”
Dhe për ata që nuk e njohin këtë zonë, risia e shëtitjes nëpër një fshat nënujor është e mjaftueshme për t’i tërhequr drejt rrënojave.