Yasaku Maezawa fton tetë persona t’i bashkangjiten atij në udhëtimin në Hënë.
Në vitin 2018, Elon Musk njoftoi se turisti i parë në Hënë do të ishte miliarderi Yasaku Maezawa, i cili pritet të bëjë udhëtimin në vitin 2023.
Tani, ai po fton tetë persona që t’i bashkangjiten atij, shkruan Demokracia.com.
45-vjeçari po u jep tetë anëtarëve me fat “bileta falas për në Hënë” dhe e tëra çfarë ju duhet të bëni është të plotësoni një formular aplikimi në internet, i cili kërkon vetëm emrin tuaj, email adresën dhe një foto. Ju gjithashtu duhet të tregoni se cilën nga llogaritë e Maezawa në rrjetet sociale ndiqni.
Maezawa do të shkojë në Hënë si pjesë e projektit DearMoon, një mision hënor i turizmit dhe projekt arti i konceptuar nga vetë Maezawa. Udhëtimi do të ndërmerret në një Starship SpaceX privat.
Në një video në Youtube, Maezawa tha se dëshiron që njerëz të profileve të ndryshme t’i bashkohen atij në udhëtimin për në Hënë.
Maezawa fillimisht donte që artistët të bashkoheshin me të në udhëtim, por tha se ai vendosi të hapë aplikime për publikun duke thënë se “nëse e shihni veten si një artist, atëherë ju jeni një artist”.
Për ata që shqetësohen për shpenzimet e udhëtimit në Hënë, Maezawa ka konfirmuar se ai do të paguajë për të gjithë udhëtimin.
KËTU gjeni videon e plotë të Maezawas. /Demokracia.com/