Pas një seance solemne në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e përcjellë edhe me një revoltë të opozitës, e cila edhe e lëshoi sallën e Kuvendit teksa Kurti mbante fjalim, në sheshin kryesor të Prishtinës është mbajtur edhe ceremonia e parakalimit të Ushtrisë së Kosovës.
Podiumi i rezervuar për krerët e shtetit nga ku do të përcillnin parakalimin e Ushtrisë së Kosovës ishte vendosur në sheshin Zahir Pajaziti.
Siç shihet në transmetimet direkte, mbi dhjetë truproje janë përkujdesur për sigurinë e presidentes Vjosa Osmani, e cila ka kaluar përmes qytetarësh deri ka arritur tek podiumi ku po e prisnin kryeministri Kurti dhe kryekuvendari Konjufca.
Presidentja Osmani ka qenë e shoqëruar nga bashkëshorti, dy vajzat dhe pjesëtarë të tjerë të stafit të saj.
Një shou të tillë me truproja më herët e kishte dhënë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ishte i përcjellë nga të paktën shtatë truproje pasi kishte zbritur nga vetura zyrtare dhe ishte nisur drejt fakultetit Juridik në Prishtinë për të votuar në balotazhin e 14 nëntorit.