Vit i ri, zyra e tarifa të reja. Kështu e nisi vitin 2022, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë nga fillimi i këtij viti ka dalë në objekt të ri.
Ky institucion do t’i paguajë qira mujore kompanisë “Arting SH.P.K.”, 8 mijë e 96 euro me TVSH, shumë kjo dyfish më shtrenjtë se që kishin paguar në zyrat e mëhershme, shkruan Demokracia.com.
ZRRE i ka paguar deri në muajin dhjetor qira 4 mijë e 500 euro pronarit të objektit, ku kanë qenë të vendosur më herët.
ZRRE nga 4 janari i këtij viti është vendosur në objektin e ish-ndërmarrjes “FAZITA” në rrugën Bekim Fehmiu, ku do të paguajë më shumë 2 mijë e 364 euro.
Demokracia.com ka siguruar faturat e pagesës së qirasë të muajit dhjetor të vitit 2021, të cilën e ka paguar më herë, si dhe faturën e muajit janar që ky institucion i ka paguar kompanisë “Arting” për objektin e ri ku janë vendosur tani.
Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë e kanë konfirmuar për Demokracia.com ndërrimin e lokacionit dhe firmosjen e kontratës me kompaninë “Arting”.
“Zyra e Rregullatorit për Energji gjendet në adresën Rr. Bekim Fehmiu (Ish Ndërtesa e Fazitës), kati:2, 10000 Prishtinë, Kosovë. Puna në objektin e ri ka filluar ne fillim të janarit të vitit 2022”, është thënë në përgjigjen e ZRRE-së për Demokracia.com.
Ata kanë thënë se kompania “Arting” e ka pasur ofertën më të përgjegjshme.
“Përpara skadimit të kontratës me pronarin e objektit ku Zyra e Rregullatorit për Energji ka qenë me qera, ZRRE-ja ka publikuar shprehjen e interesit për marrje të objektit me qera, nga ofertat e pranuara, ka përzgjedhur ofertat me te përgjegjshme që përmbush kërkesat e ZRRE-së të shpallura në shprehje të interesit. Kontrata mbi qeranë është e nënshkruar me Arting SH.P.k”, kanë thënë nga ZRRE për Demokracia.com.
Ky institucion ka qenë në qendër të vëmendjes këto ditë, pasi që ka marrë vendim për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.
Bordi i ZRRE-së ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj nuk do të kenë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.
Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës, kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.
Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovat, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë, ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.
Po ashtu, bordi i ZRRE-së ka vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë, ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.
Kryetari i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, deklaroi se 80% e konsumatorëve shpenzojnë nën 800 kilovat energji elektrike në muaj.
Po ashtu, Fejzullahu ka thënë se konsumatorët që shpenzojnë 1000 kilovat do të kenë rritje mesatarisht prej 10 euro.
Tarifat e reja kanë hyrë në fuqi që nga data më 9 shkurt 2022.
Këto tarifa do të jenë në fuqi deri më 31 mars 2023. Propozimi i Departamentit të Tarifave në ZRrE mori 5 vota për dhe asnjë kundër.
Fillimisht, Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte propozuar që të rikthehen bllok tarifat e energjisë, duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.
Për tarifat për biznese dhe 600 kilovatët e parë të amvisërisë, propozimi ishte të vazhdonin të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë.
Tarifa e lartë ishte propozuar nga 6.75 centë për kilovat në 14 centë apo një rritje prej 107%.
Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 centë në 6 centë, një rritje prej 107%. Kundër këtij propozimi kishte protesta e reagime të ndryshme.
Pas propozimit të ZRrE-së, deri më 31 janar, të njëjtit kanë pranuar komente nga palët e interesit, institucione të ndryshme, organizatat joqeveritare e partitë politike, me propozime të ndryshme për tarifat e reja të energjisë elektrike. /Demokracia.com/
DOKUMENT| Ky është vendimi i ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës