Një market është grabitur nga dy persona në qendër të Prishtinës.
Rreth orës 18:00 ka ndodhur një grabitje në një market në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë.
Këtë e ka konfirmuar për Demokracia.com, Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.
Ajo ka thënë se grabitja ka ndodhur nga dy persona të cilët më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
“Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në të dhënat e para janë ngritur dyshimet se vjedhja është kryer nga dy të dyshuar të cilët më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes”, tha Ahmeti për Demokracia.com.
Ajo po ashtu ka bërë të ditur se policia tashmë ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti dhe identifikimin e të dyshuarve.
“Aktualisht policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rastit si dhe identifikimin e të dyshuarve”, theksoi Ahmeti.
Ende nuk dihet vlera e parave që kanë grabitur hajnat. /Demokracia.com/