Vedat Muriqi e ka gjetur te Mallorca atë që e kërkonte te ish-skuadra e tij Lazio, minutazhën, për t’i treguar cilësit që ai posedon. Reprezentuesi i Kombëtares së Kosovës ka qenë vendimtar në duelet e tij të para me fanellën e klubit të La Ligës.
Autor: Amir Rama
Sulmuesi i “Dardanëve” ka zhvilluar tri ndeshje deri më tani me Mallorcën, derisa ka kontribuuar me një gol dhe dy asistime. Futbollisti nga Prizreni realizoi golin në debutim kundër Cadizit, gol i cili i solli pikët e plota ekipit të tij (2:1).
Muriqi ishte protagonist edhe në duelin e mbrëmshëm (e hënë) kundër Athletic Bilbaos kur bëri dy asistime në fitoren 3:2 të Mallorcës, shkruan Demokracia.com.
Me golin dhe asistimet e 27-vjeçarit, Mallorca është larguar nga “zona e kuqe” e tabelës së La Ligës.
Këtij starti fantastik të Vedat Muriqit natyrisht se i gëzohen edhe te Kombëtarja e Kosovës.
Drejtori i Kombëtares dhe ndihmës-trajneri, Muharrem Sahiti thotë për Demokracia.com se vetëm transferimi i Muriqit te klubi spanjoll ka qenë lajm i mirë për ta.
“Definitivisht lajm i mirë ka qenë vet transferimi i Muriqit te Mallorca, pas gjithë asaj që kaloi te Lazio. Ai ka merituar shumë më tepër, por nuk i dhanë shumë mundësi. Ne i jemi gëzuar transferimit e aq më tepër formës së mirë dhe që po është vendimtar në takimet e Mallorcës”, u shpreh Sahiti të martën për Demokracia.com.
Sahiti vlerësoi se paraqitjet e mira të Muriqit i japin atij vetëbesim, derisa shtoi se pavarësisht mungesës së minutazhës te Lazio, Muriqi ka dhënë maksimumin për Kosovën.
“Muriqi është lojtari kyç te kombëtarja kosovare. Paraqitjet e tij të mira vetëm sa i japin vetëbesim atij. Anise në të kaluarën ai nuk ka qenë titullar në Lazio, në kombëtare ka qenë lojtari kryesor. Është tip i lojtarit që kur luan për Kosovën jep gjithçka nga vetja”, deklaroi drejtori i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti.
Vedat Muriqi iu bashkua Mallorcës në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit nga klubi italian, Lazio në formë huazimi me të drejtë të blerjes në fund të edicionit./Demokracia.com/