Sulmuesi uellsian Gareth Bale do të largohet nga skuadra e Real Madridit në fund të këtij edicioni. E largimin e Balet në verë, e ka konfirmuar edhe trajneri i Realit, italiani Carlo Ancelotti.
32-vjeçari në verë do të jetë lojtar i lirë dhe krerët e Realit as që kanë menduar t’ia ofrojnë rinovimin e kontratës për shkak se nuk bën pjesë në planet e klubit.
“Bale dëshiron që këtë sezon ta mbyll me trofe te Reali pasi ky është synimi i tij përpara se të largohet”, ka thënë Ancelotti.
Bale u pat transferuar te Reali në verën e vitit 2013 nga Tottenhami për 100 milionë euro dhe ka fituar 17 trofe në total, përfshirë katër herë Ligën e Kampionëve.
Ai vitet e fundit nuk ka pasur hapësirë të madhe në klub për shkak të lëndimeve dhe sezonin e kaluar ishte i huazuar te Tottenhami. Edhe këtë edicion, Bale ka vetëm katër paraqitje dhe një gol të shënuar në të gjitha garat për Real Madridin.