Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë partneri kryesor i Kosovës, në të gjitha proceset shtetndërtuese. Vizitat zyrtare të liderëve e politikanëve kosovarë në ShBA janë ndër më kryesoret. Por, jo edhe për pushtetarin e ri, Albin Kurtin që sot një vit fitoi “referendumin” siç e quajti ai fitoren e 14 shkurtit të vitit të kaluar. Ai deri tash nuk ka qenë as nuk ka takuar asnjë figurë të rëndësishme amerikane atje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një vit që nga fitorja e madhe e 14 shkurtit që e solli atë në pushtet, por përkundër kësaj nuk ka arritur ta realizoj të paktën një vizitë zyrtare me partnerin kryesor të vendit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Diçka e pazakontë për një drejtues qeverie kosovare.
Çka e tensionoi raportin Kurti – ShBA?
Refuzimi për të hequr taksën kundër produkteve serbe, refuzimi i marrëveshjes së shtatorit në Uashington dhe refuzimi i gazit amerikan, duket se sollën edhe “refuzimin” e Shtëpisë së Bardhë dhe politikës amerikane për ta pritur në vizitë kryeministrin Kosovarë.
Albin Kurti disa muaj pas fitores duke folur për raportet e shkëlqyera me ShBA-të, pati paralajmëruar edhe një vizitë zyrtare atje. Paralajmërimi ndodhi në fillim të muajit nëntor, për një vizitë në fund të atij muajit. Kjo vizitë nuk ndodhi. Kurti si kryeministër nuk u ftua as nuk u prit nga zyrtarë të rëndësishëm atje, shkruan Insajderi.
Kjo nuk ka ndodhur më herët me drejtues qeverie e politikanë kosovarë.
Një tensionim i raporteve Kurti-ShBA nisi gjatë mandatit të tij të parë si kryeministër, rreth taksës ndaj mallrave serbe, por u intensifikua më tej me “luftën” me të dërguarin për dialog Richard Grenell.
Tensionimi vazhdoi edhe me kundërshtimet e ashpra të Kurtit sa mbeti pa pushtet, kur u rrëzua nga kuvendi. E kundërshtoi edhe marrëveshjen e shtatorit që u arrit në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës e Serbisë.
Refuzimi i gazit amerikan, nga Kurti e shtoi tensionin edhe më tepër.
Kur në fund të vitit të kaluar Kurti u pyet nga gazetarët për vizitë në ShBA, thoshte se vizita është duke u përgatitur. Të njëjtën e tha edhe në kuvend para deputetëve.
Thoshte madje se shefi i stafit të tij, po merret me detajet.
“Shefi i stafit të kryeministrit, z.Luan Dalipi është duke e përgatitur vizitën time në SHBA në fillim të vitit të ardhshëm, mirëpo ne nuk do të njoftojmë për takime të veçanta pa u bërë programi i plotë”, tha Kurti edhe me 30 nëntor 2021.
Përfundoi viti por Kurti as nuk u nis as nuk u prit për vizitë zyrtare në ShBA.