Edicionin aktual në Superligën e Kosovës, Llapi e kishte nisur në mënyrën më të keqe të mundshme, derisa shumë shpesh ishte gjendur në vendin e parafundit në renditjen tabelore.
Por, pas pushimit dimëror, fazës përgatitore në Antalia të Turqisë, skuadra që drejtohet nga Tahir Batatina ka ndryshuar rrënjësisht, raporton Demokracia.com.
Stinorin pranveror, Llapi e nisi duke eliminuar Ballkanin nga Kupa e Kosovës, duke e mposhtur prapë skuadrën suharekase në kampionat si dhe duke mposhtur Gjilanin.
Në fushën e lojës, Llapi duket me “fytyrë të re”, gjë e cila po vlerësohet pozitivisht nga njohësit e futbollit kosovar.
Në lidhje me formën aktuale të Llapit, Demokracia.com ka kontaktuar kryetrajnerin Tahir Batatina, i cili njëherit është edhe donator te klubi nga Podujeva.
Batatina ka deklaruar se rezultatet negative në stinorin vjeshtor kishin dy “arsye”.
“Është e vërtetë se nuk kishim rezultate pozitive në vjeshtë. Arsyeja ka qenë se solla shumë futbollistë në skuadër derisa e komponova skuadrën”, ka thënë fillimisht Tahir Batatina duke vazhduar:
“Problemi i dytë ka qenë se e mora një trajner afrikan dhe më la skuadrën pa përgatitur, andaj nuk kishim mundësitë t’i tregonim cilësitë tona”.
Rezultatet pozitive për Llapin niseshin të shfaqeshin në pranverë, derisa Batatina thotë se e ka mbështetjen e plotë të stafit.
“Në pranverë i mora masat dhe nuk i besova askujt, por vazhdova me punë intensive me skuadrën, me një ritëm të lartë dhe mbështetjen e stafit e kam në maksimum ku jemi duke i koordinuar gjërat mes vete dhe kjo po ndikon pozitivisht, pasi Synaj Keqi, Burim Zhjeqi dhe Bekim Mulliqi janë duke e bërë maksimumin dhe duke punuar shumë mirë”, tregoi trajneri llapjan.
Për fund, Batatina tregon se pjesa më e madhe ku ai “ndërhyri” ishhte pjesa fizike.
“Pjesa më e madhe ku kam ndërhyrë në skuadër ka qenë pjesa fizike dhe sjellja në skuadër e një super-portieri”, përfundoi të mërkurën Batatina.
Ndryshe, pas 22 javësh, Llapi ndodhet në vendin e shtatë në Superligë me 26 pikë të tubuara. /Demokracia.com