Një nga klubet me traditë në futbollin e Kosovës është edhe Drita e Gjilanit. Viteve të fundit jemi dëshmitar të një klubi që në synim të saj ka gjithë trofetë e mundshëm.
Autor: Amir Rama
Drita para katër vjetësh triumfoi në kampionat, pas një mungesë prej 15 vjetësh, duke i gëzuar tifozët e saj me titullin e kampionit. Po atë vit, “Intelektualët” fituan edhe trofeun e Superkupës së Kosovës duke e mundur në finale Prishtinën, raporton Demokracia.com.
Dy vite më vonë, saktësisht në edicionin 2019/20, Drita e shtoi edhe një trofe të kampionit duke numëruar tashmë titullin e tretë në histori.
Mirëpo, gjatë 20 vjetëve të fundit ajo që po mungon te klubi nga Anamorava është trofeu i Kupës së Kosovës. Drita në pesë vitet e fundit nuk ka arritur ta “shijojë” as gjysmëfinalen e këtij kompeticioni, duke u eliminuar herët në këtë garë.
Hera e fundit kur Drita triumfoi në evenimentin e Kupës ishte sezoni i largët 2000/01 kur në finale mposhtën rivalin e qytetit, Gjilanin 6:5 pas penalltive.
Historia e eliminimeve të Dritës nga Kupa në pesë vitet e fundit
Në edicionin 2016/17, Drita u mposht në Gjilan nga Besa e Pejës me shifrat 1:3, duke u eliminuar nga Kupa në 1/8 e finales.
Një edicion më vonë, Drita e mposhti Istogun minimalisht në fazën e 1/8, për t’u eliminuar më pas në çerekfinale nga Vëllaznimi 2:3 në shtëpi. Ishin përsëri gjakovarët që iu bën “macë e zezë” Dritës në kuadër të Kupës, duke i eliminuar në Gjakovë minimalisht 1:0.
Edicioni i radhës, Drita e Ardian Nuhiut nuk e kishte prekur as 1/8-tën, për t’u “rrëzuar” nga Ballkani që atë kohë drejtohej nga Ismet Munishi, pas ekzekutimit të penalltive (2019).
Edicionin e fundit, atë të kaluarin, në kompeticionin e dytë madhor ëndrrën për të triumfuar në Kupën e Kosovës, ia shuajti FC Prishtina në “Fadil Vokrri” me rezultat minimal 1:0, pa arritur në çerekfinale.
E këtë edicion, duket se Drita e ka rrugën më të lehtë për t’u kualifikuar në gjysmëfinale, e më pas ta kërkoj edhe finalen përmes së cilës të arrijë te trofeu i shumëkërkuar.
Skuadra nga Gjilani në çerekfinale të Kupës këtë edicion do të ketë përballë Ulpianën, ekipin tjetër elitar të promovuar këtë sezon në elitë, e që ndodhet në pjesën e poshtme të kampionatit.
Kapiteni i Dritës, Ardian Limani në një bisedë me Demokracia.com tha se klubi e ka synim të fuqishëm ta sjellë këtë trofe në Gjilan pas dy dekadash.
“Jemi të vetëdijshëm për ecurinë tonë negative në kuadër të Kupës në këto vitet e fundit, andaj është bërë edhe dëshirë dhe synim i fuqishëm këtë vit që ta sjellim këtë trofe në shtëpinë tonë. Gjithashtu e dimë që nuk është rrugë e lehtë ta arrish këtë, por që ne besojmë shumë në kualitetin e skuadrës dhe do të luftojmë në dy frontet. Ne ende nuk kemi filluar të mendojmë Ulpianën në Kupë, pasiqë jemi të fokusuar në ndeshjet e radhës, mirëpo e dimë që do të jetë sfidë e vështirë”, u shpreh kapiteni i Dritës, Ardian Limani të hënën për Demokracia.com.
Mbrojtësi gjilanas vlerësoi gjithë skuadrat që kanë mbetur në lojë në Kupë.
“Realisht të gjitha skuadrat e kreut janë ende në garë dhe të gjitha kane shanset njësoj. Ne do të synojmë që ta sjellim këtë trofe sepse edhe është dëshirë shumë e madhe e dy presidentëve tanë, të cilëve i mungon ky trofe. Kemi forcë për t’i gëzuar Intelektualët dhe shpresojmë shumë që ta bëjmë këtë”, nënvizoi për fund Limani. /Demokracia.com/